Abrashi në luftë me kohën, për t’u kthyer në…Kombëtare

Sport

amir
Përgjatë një periudhe të kampionatit të kaluar gjerman, Amir Abrashi ishte një nga lojtarët kryesorë të mesfushës së Freiburgut. Natyrisht, përsa kohë që ishte në formën më të mirë fizike, për gati 2 muaj e gjysmë. Mirëpo, fatkeqësisht, momenti pozitiv i mesfushorit shqiptar u duk sikur u mbyll më 10 mars të këtij viti. Atë ditë, në ndeshjen kundër Hetës së Berlinit, ai pësoi një dëmtim të rëndë, që kërkoi patjetër ndërhyrjen kirurgjikale. E nga atëherë, Abrashi punoi fort për rikthimin sa më të shpejtë në fushë. Madje gjatë javëve të fundit, realizoi edhe një program riaftësimi në Zyrih. Por tashmë mund të thuhet se qendrimi i tij në Zvicër, përfundoi dhe prej fillimit të kësaj jave, Abrashi u rikthye të stërvitet në Freiburg, duke nisur të punojë nën vëzhgimin e fizioterapistit Uve Veter. E nuk hezitoi të provonte edhe disa ushtrime individuale me topin.

abrashii

“Zbritja në fushë për të kryer stërvitjen e parë me skuadrën është më argëtuese dhe një motivim më shumë për mua”, është mjaftuar të thotë Abrashi.
Gjithsesi, ai duket se do ta ketë të pamundur të jetë në dispozicion për Kombëtaren, për ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve. Sigurisht që gjendja e lojtarit nuk është ende optimale për të zhvilluar ndeshje të plota dhe natyrisht duhet pak kohë, derisa ai të riaftësohet plotësisht. Vetë Abrashi e ka pranuar se dëmtimi është lënë pas, por ende nuk është gati për të luajtur. Vetëm me kalimin e ditëve në stërvitje dhe fitimin e formës, ai dalëngadalë pritet të ketë edhe minutat e para me Freiburgun në Bundesligë. Sigurisht, ndërprerja e kampionatit për shkak të Kombëtareve, do të jetë një bonus i mirë për mesfushorin, në gjetjen e formës më të mirë.