Abrashi, 4 muaj pas dëmtimit: Jam ende këtu…!

Sport

abrashi
“Jam ende këtu!”. Me këto fjalë të përcjella përmes një videoje, Amir Abrashi ka reaguar për të bërë një azhornim, në lidhje me situatën e riaftësimit që po kryen me synimin për t’u kthyer sa më shpejt në fushë. Katër muaj e gjysmë më parë, mesfushori shqiptar i skuadrës së Freiburgut, këputi ligamentin e krociatit të gjurit të djathtë, gjatë një ndeshjeje të kampionatit gjerman ndaj Hertës së Berlinit. Ndërkohë që pas një procesi të gjatë me terapi, rreth 10 ditë më parë ai është spostuar për të punuar në fushën e stërvitjes, duke riveshur më në fund këpucët e futbollit. Fillimisht, duke kryer vetëm vrapime të lehta, ndërsa ditët e fundit ka mundur të realizojë përsëri edhe ushtrime me topin. “Mund të them më siguri se jam në rrugë të mbarë dhe se gjithcka po shkon mirë”, ka garantuar mesfushori i Kombëtares shqiptare.

amir

Ndonëse është i vetëdijshëm se duhet vazhduar ende për pak kohë me rigjetjen e formës fizike. E mbi të gjitha, për kompletimin e të gjithë procesit të riaftësimit, natyrisht që do të duhet vecanërisht shumë durim nga ana e Abrashit. Rikuperimi i tij të paktën për fillimin e sezonit do të ishte një lajm i mirë edhe për Kombëtaren e Panuccit. Sidomos duke parë situatën e rëndë të dëmtimeve në mesfushë, përpara debutimit të shtatorit në Ligën e Kombeve. Veç Abrashit, jashtë fushave për shkak të problemeve fizike vazhdon të jenë Taulant Xhaka e Burim Kukeli. Pa llogaritur që edhe Eros Grezda ka një dëmtim në kavilje. Kështu që Panucci është në pritje të sa më shumë lajmeve të mira nga infermieria. Përndryshe duhet të bëjë eksperimente që mund t’i kushtojnë.