A e mendon Oliver Giroud tërheqjen nga Milani?

Sport

Oliver Giroud nuk e mendon tërheqjen; thotë se është i lumtur me atë që po bën tek kuqezinjtë

Olivier Giroud ka rezultuar më shumë se sa i rëndësishëm në disa prej ndeshjeve më me peshë të sezonit të Milanit në ‘Seria A’. Sulmuesi francez ka qenë protagonist në fitore të mëdha të skuadrës së Piolit, që tani shihen si favoritë për t’u shpallur kampionë.

Në intervistën e tij të fundit, Giroud është ndalur pikërisht tek aventura e tij me ‘Djallin’, teksa është ngacmuar edhe rreth çështjes së tërheqjes nga futbolli i luajtur.

Tashmë 35-vjeçar, është e kuptueshme se edhe largimi nga fusha e blertë bëhet një opsion për francezin, që gjithsesi, thotë se nuk e mendon diçka të tillë. Giroud, veç shokut të tij të skuadrës, Ibrahimovic, dhe edhe shembuj si Quagliarella apo Pandev, që edhe pse janë pranë të 40-ave, vazhdojnë të luajnë në nivele të larta. Futbolli italian sipas tij, i jep mundësinë lojtarëve me karakteristikat e tij që të vijojnë të luajnë edhe pse në moshë të madhe.

Duke parë se ai është i lumtur me atë që po kalon tek Milani, Giroud për momentin nuk e mendon as tërheqjen dhe as largimin nga skuadra kuqezi. Ai shpreson që të vijojë të ndihmojë shokët e ekipit në luftën për titull, duke i konsideruar si finale, të gjitha ndeshjet e mbetura të sezonit.

Në fund, Giroud foli edhe për marrëdhënien e tij me Ibrahimovic, të cilin e cilësoi si një lider të pakrahasueshëm.

Sulmuesi francez u shpreh se të gjithë në skuadër mësojnë diçka nga Ibrahimovic.

Giroud numëron 21 ndeshje në ‘Seria A’ në këtë sezon me fanellën e Milanit, ku ka dhënë kontributin e tij me 8 gola e 4 asiste. Francezi u bë pjesë e kuqezinjve në verën e kaluar dhe ka një kontratë që e mban të lidhur me këtë skuadër deri në qershorin e 2023-shit.