Maurizio Sarri është i destinuar për të qenë trajner i Juventus. Në Angli dhe Itali raportohet se Chelsea dhe Juventus kanë gjetur akordin që do t’i japë jetë lëvizjes së Sarrit drejt Torinos, me ‘blutë’ e Londrës që thuhet se do të përfitojnë rreth 5.5 milionë euro si dëmshpërblim për shkëputjen e parakohshme të kontratës me teknikun italian. Fabio Paratici ka qëndruar për disa ditë me radhë në Londër, vetëm për të mbyllur këtë marrëveshje me skuadrën e Chelseat. Tashmë kanë mbetur për t’u zgjidhur vetëm detajet mes Sarrit dhe Juventus, për të bërë më pas gjithçka zyrtare.
‘Goal.com’ zbulon gjithashtu se Sarrit i është ofruar një kontratë 3-vjeçare dhe do të paguhet për shërbimet e tij në Torino rreth 7 milionë euro në sezon. Bashkë me Sarrin, në Torino do të vijë edhe pjesa më e madhe e stafit të tij. Me largimin e trajnerit italian nga Chelsea, pritet të vihet në funksion plani i Abramovich për të vendosur në krye të skuadës legjendën e ‘bluve’, Frank Lampard. Gjatë sezonit që sapo u mbyll, ish-mesfushori drejtoi skuadrën e Derby County , ku dhe është vlerësuar jo pak për punën e tij. Ndërsa në Torino, menjëherë pas mbërritjes së Sarrit, Juventus do të fillojë të konkretizojë tratativat me lojtarët që do të përforcojnë skuadrën në të ardhmen.