«A e doni Modric?», telefonata që ndezi Interin

Sport

Luca Modric
Për momentin është me pushime në Itali, por zbarkimi shumë shpejt i Luca Modric në futbollin italian mund të mos jetë thjesht një ëndërr e tifozëve të Interit. Një telefonatë ka ndryshuar të gjitha planet e verës së zikaltërve, duke bërë të ëndërrojnë një nga afrimet më të bujshme të viteve të fundit.
Sipas prapaskenave të zbuluara nga italiania “Gazzetta Dello Sport”, drejtuesit interistë janë telefonuar në ditët e kaluara nga Vanja Bosniç, bashkëshortja e kroatit e cila shërben edhe si menaxhere e tij. “E doni Modric?”, mësohet të kenë qenë fjalët e saj, gjë që ka bërë të kalohej në plan të dytë kiliani dhe të shihej me shumë interes pista e afrimit të lojtarit më të mirë të Botërorit të fundit.
Vetë kroati duket se dëshiron të largohet nga madrilenët, pasi do të provojë një eksperiencë të re në vitet e fundit të karrierës së tij. Dhe Interi do ta priste krahëhapur. Mirëpo duhet bindur Reali që ta lëshojë me një çmim të arsyeshëm e për më tepër me formulën e huazimit me të drejtë blerje, pasi zikaltërit nuk mund të shpenzojnë shumë këtë verë për shkak të “Fair Play Financiar”. Si në rastin e Cristiano Ronaldon. Interi nuk mund të përballojë akord direkt me Florentino Perez. Prandaj duket se të presë një kërkesë shumë të veçantë të mesfushorit për lamtumirë nga “Bernabeu”. Prandaj, do të jetë në dorën e agjentëve të kroatit për të gjetur një zgjidhje me Real Madridin, pas një takimi që duhet të zhvillojnë në fundjavë me Florentino Perez.
Për më tepër është për t’u gjetur një akord financiar me vetë Modric, pasi rroga prej 10 milionë eurosh në sezon që i garanton Reali është e vështirë të përballohet në Itali. Gjithsesi mund të thuhet se telefonata ka entuziazmuar drejtuesit zikaltër të cilët kanë filluar të bëjnë llogaritë se si të realizojnë lëvizjen që nga ëndërr mund të bëhet konkrete.