A do të shkoj Matthijs De Ligt te PSG

Sport

Vetëm 24 orë pas lajmeve nëpër mediat europiane se Matthijs De Ligt ishte pranë nënshkrimit me PSG, ka ardhur edhe përgënjeshtrimi i këtij informacioni. Është agjenti i lojtarit, Mino Raiola që i ka quajtur këto spekulime thjesht si një rast klasik të lajmeve false. Agjenti i mirënjohur deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje mes tij, lojtarit dhe PSG. Mediat raportonin se Raiola ishte parë në Paris, duke u takuar me disa drejtues të kampionëve të Francës, por agjenti i De Ligt ka mohuar të ketë kryer takimet të tilla. 51-vjeçari iu referua fjalëve të klientit të tij kur tha se De Ligt ka vendosur të pushojë dhe vendimin rreth të ardhmes së tij do e marrë më vonë.


Futbollisti qe shprehur se pas angazhimit me Ajaksin dhe kombëtaren holandeze, mendon të rifitojë forcat dhe më pas do të vendosë cilën nga shumë ofertat e ardhura prej tij do të pranojë. De Ligt thoshte se do të zgjedhë një skuadër ku do të ketë më shumë mundësi për t’u përmirësuar e për të patur minuta në këmbët e tij. Nga ana e PSG ndërkohë nuk ka asnjë reagim rreth këtyre lajmeve, por mediat franceze dhe ato britanike vijojnë të këmbëngulin se mes Mino Raiolas dhe përfaqësuesve të skuadrës kampione të Francës, vijojnë negociatat e fshehta.