A do të largohet Neymar nga PSG?

Sport

Një kaos i vërtetë duket se ka kapluar PSG. Tensionet mes Neymar dhe drejtuesve vijojnë të rriten dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit, ka menduar e përditëshmja katalanase, ‘Mundo Deportivo’. Sipas gazetës së mirënjohur, Neymar, i cili gjendet në Brazil, u ka thënë disa miqve të tij se nuk dëshiron të luajë më me PSG. Madje këtë mesazh ai thotë se ia ka përcjellë edhe presidentin të skuadrës, Nasser Al-Khelaifi. Tensionet mes palëve u rritën kur numri 1 i ekipit parizien deklaroi se nuk do të toleronte më sjelljet prej ylli tek asnjë nga lojtarët e tij, ndërkohë që edhe tifozët e klubit duket se janë vënë kundër Neymar. Në Francë e bëjnë thuajse zyrtare se Neymar nuk është më pika kryesore e projektit të PSG, përgjegjësi e cila do të kalojë mbi Kylian Mbappe.

I afruar si lojtari më i shtrenjtë i historisë, Neymar nuk është se i ka përmbushur pritshmëritë. Ndonëse në statistika, braziliani është ndër më të mirët në ‘Ligue 1’, problemet e shumta me dëmtimet, pezullimet e shpeshta, sidomos në ato ndeshje deçizive, por edhe skandalet nga më të ndryshmet, kanë bërë që durimi i drejtuesve të PSG të kalojë kufinjtë. 222 milionë euro u shpenzuan për të marrë kartonin e tij nga Barcelona, teksa në kontratë ka një pagë faraonike prej 700 mijë eurosh në javë. Spekulimi se Barcelona ka hapur negociatat për Neymar tashmë bëhet edhe më i besueshëm, me PSG që në një farë mënyre ka pranuar dështimin e projektit ‘Neymar’.