A do të jetë Ibrahimoviç lojtar në derbin e 5 shkurtit?

Sport

Zlatan Ibrahimoviç rrezikon të mos luajë në derbin e 5 shkurtit me Interin. Milani e di shumë mirë rëndësinë e kësaj ndeshje, pasi në rast fitoreje, do shkurtonte diferencën me zikaltërit dhe në këtë mënyrë gara për titullin kampion do të bëhej më interesante. Për t’ia arritur qëllimit, nuk ka dyshime se trajneri Stefano Pioli ka nevojë që Zlatan të jetë në fushën e lojës. Mirëpo diçka e tillë mbetet e diskutueshme, pasi suedezi nuk po arrin ta hedhë dot pas krahëve dëmtimin në tendinën e akilit, që me shumë mundësi do e detyrojë ta shohë derbin nga tribuna. Duke u bazuar këtu në raportimin e mediave përtej Adriatikut, në kampin e Milanit sigurisht që janë të shqetësuar me këtë situatë, ndërsa gjendja e Ibrahimoviç do monitorohet ditë pas dite, për të parë në fund nëse sulmuesi i qendrës do jetë i gatshëm të zbresë në tapetin e blertë ose jo. Nëse 40 vjeçari do vazhdojë të ndiejë dhimbje në vijimësi të këtyre ditëve, atëherë kuqezinjtë nuk do rrezikojnë që lojtari të luajë, pasi në këtë mënyrë mund të komplikojnë më shumë gjendjen fizike të Zlatan.