Kazuyoshi Miura mbush 51 vjeç muajin e ardhshëm, por pavarësisht kësaj ai ka siguruar një tjetër kontratë me klubin Yokohama në Japoni për të luajtur sërish futboll. Kjo kontratë e re është e 33-ta në karrierë dhe vendos një tjetër rekord në historinë botërore, rekord që mbahej po nga ai. “Gjithmonë do të luaj me zemër dhe me shpresë se kjo histori do të vazhdojë” – ka thënë Miura për mediat lokale, ndërsa është rekordmen si golashënuesi më në moshë që realizon në një ndeshje zyrtare, 50 vjeç e 14 ditë. I ashtuquajturi King Kazu, prej kontributit që ka dhënë në futbollin japonez, mbush 51vjeç më 26 shkurt. Ai e nisi karrierën në vitin e largët 1982, emigroi në Brazil kur ishte adoleshent dhe pas 4 sezonesh në radhët e skuadrave zinxhire me Santosin, debutoi në vitin 1986. Shtatë vite pas përvojës në Brazil, inauguroi ligën japoneze duke u shpallur lojtari i vitit në 93-in, në një sezon ku në J-League, luajtën emra të njohur si Gery Lineker apo Zico. Në CV-në e gjatë ai ka edhe dy përvoja Evropiane me Genoan dhe Dinamon e Zagrebit në vitet ’95-’99-të. Te klubi aktual ku luan, Yokohama, ai u transferua në vitin 2005, kur ishte 38-vjec. Asokohe karriera e tij konsiderohej e përfunduar, por ja që edhe 13 vite të tjera dhe ai mbetet në fushë me kontratën e re që është zgjatur deri në fund të 2018-ës. Gjithmonë këmbëngulës në futboll, ai thotë se momentet më të pëlqyeshme kanë qenë ato me kombëtaren, ku ka diskutuar 89 ndeshje me 55 gola dhe që prej saj është tërhequr prej vitit 2000.