´4 fantastikët´ e Tuchel tek PSG kërkojnë fitoren e parë në Champions

Sport

4 psg
PSG mbetet një nga skuadrat pretendente për t’i shkuar deri në fund rrugëtimin në Champions League. Humbja në “Anfield” ndaj Liverpool duhet të harrohet shpejt, dhe kjo nis që nga sfida e sotme ndaj Crvena Zvezdës. Trajneri Thomas Tuchel ka sjellë ndryshime në skuadër. Edhe ylli i kampionëve të Ligue 1, Neymar, u shpreh gjatë konferencës së tekniku gjerman i ka dhënë një mendësi tjetër grupit, dhe ka ditur se si të lidhë lojtarët me njëri-tjetrin. Në sulm, Tuchel kishte që në fillim një treshe thuajse perfekte me Neymar, Cavani e Mbappe. Por 45-vjeçari sërish gjeti vend për përmirësim. Në shumë nga ndeshjet e fundit të parizienëve, treshes sulmuese i është bashkangjitur edhe Angel Di Maria. Argjentinasi ka luajtur në një rol disi të pazakontë për të, pas sulmuesit dhe me liri lëvizjeje nga të gjitha anët. Ky duket të jetë çelësi i Tuchel për ta bërë repartin ofensiv akoma edhe më të rrezikshëm.

psg prayers 678x381

Sa herë që është përdorur një skemë e tillë, rastet e krijuara të PSG janë dyfishuar, dhe Neymar e Mbappe gjejnë edhe më shumë mbështetje. Trajneri gjerman u beson verbërisht aftësive individuale të lojtarëve në fjalë dhe mbështet gjithë lojën e tij tek ata. Pas 27 golave në 8 ndeshje në ‘Ligue 1’, shumë mund të presin goleadë, por në Francë e dinë mjaft mirë se ndaj serbëve të Crvenas nuk do të jetë e lehtë. Për këtë mjafton të pyesësh Napolin, që nuk mori asgjë më shumë se një barazim pa gola. Megjithatë, Tuchel është i gatshëm të pranojë edhe 1 gol të kundërshtarëve, pasi siç është shprehur pak ditë më parë, skuadra e tij ka potencialin të përmbysë një takim brenda pak minutash, ndonëse në Evropë, PSG ende nuk e ka bërë hapin e ‘të madhit’.