Diego Simeone mbrëmë në Kupën e Mbretit rezervoi disa minuta edhe për mesfushorin e talentuar shqiptar, Keidi Bare. 19-vjeçari fierak u aktivizua në 12 minutat e fundit me ekipin e parë të Atleticos.
Ky debutim nuk kaloi pa u vënë re dhe komentuar nga mediat spanjolle, të cilat bënë vlerësimin e tyre për talentin kuqezi.
“Atletico pati hapësira edhe për futbollistët e rinj. Kedi, një shqiptar i talentuar që debuton me ekipin e parë”, shkroi prestigjiozja “AS” në vlerësimin një për një të gjithë lojtarëve bardhekuq që zbritën dje në fushë.
“Keidi është shqiptari i parë që vesh fanellën e Atletico Madrid dhe për me tepër në një moshë shumë të re, vetëm 19 vjeç. Ai është një talent mjaft premtues, i cili po ndjek gjurmët e Koke, Gabi dhe Saul.
Keidi Bare është një mesfushor i dizenjuar posaçërisht për Simeonen sepse shkatërron dhe ndërton. Ai mund të luajë në të gjitha pozicionet”, thuhet në analizën e “Mundo Deportivo” për ndeshjen e mbrëmshme mes Atletikos dhe Las Palmasit.