144 ditë pas atij goli të jashtëzakonshëm, Cristiano Ronaldo do të luajë sërish në Juventus Stadium, por kësaj here me fanellën e bardhezinjëve. Portugezi, tashmë lojtari më i kushtueshëm i të gjithë historisë së futbollit italian, do të kryejë të shtunën debutimin në atë stadium që e bindi të zgjedhë Juventusin. Ishte ajo roveshatë dhe ai “standing-ovation” i të gjithë të pranishmëve që u rrënjos thellë në historinë e Champions League-ës. Këtë moment e rikujtoi edhe vetë 33-vjecari kur u prezantua në Torino gjatë verës. Ishte një nga detajet që ndikuan të zgjidhte projektin e Agnellit. Kështu pas vitesh përpjekje për të arritur suksese në Evropë, Juventusi ka tashmë në radhët e saj një element si Ronaldo.
Entuziazmi është i pamasë në radhët e tifozëve. Edhe pse në ndeshjen e parë, 33-vjecari nuk arriti të shënojë, të gjithë janë të duruar, kjo pasi përvoja dhe statistikat nuk gënjejnë. Të shtunën në Juventus Stadium rival do jetë Lazio, një skuadër që mund të hapë probleme. Për sa i përket shikueshmërisë, parashikohet të jetë një stadium i tejmbushur. Tanimë kuriozitetin për ta parë Ronaldon nuk e kanë vetëm tifozët e Juventusit, por edhe kundërshtarët. Grupet e tifozerisë laciale kanë mundur t’i prenotojnë të gjitha biletat e mundshme për sektorin e miqve. Kështu ndeshja e parë në Juventus Stadium e Ronaldos si juventin, pritet me mjaft kureshtje.