Ekzaktësisht si sot pas një viti, 5 gusht 2016, në stadiumin “Maracana” do të hapet zyrtarisht edicioni i 31-të i Olimpiadës, e para e organizuar në Amerikën e Jugut. Plot 120 vjet pas Lojrave përuruese të epokës moderne, ato të Athinë 1896. Pritet të jenë 30 ditë sporti dhe spektakli, me proatagonistë 15 mijë atletë që do të vijnë nga 205 vende, po aq sa Londra 2012 dhe një më shumë sesa Pekini. Ndërkohë që priten më tepër se 500.000 turistë të cilët do të mësyjnë rrugët dhe strukturat sportive të një prej qyteteve më të famshëm, jo vetëm të Brazilit, por edhe të gjithë Amerikës latine.
Një vit duket shumë, por kur bëhet fjalë për të ndërtuar nga asgjëja një konglomerat strukturash moderne, që duhet të impresionojnë një botë të tërë, atëherë në të vërtetë është fare pak. Prandaj, pyetja që ngrihet në këtë situatë është: a do të jetë gjithçka gati në kohë?
Një vit nga Londra 2012, 80% e strukturave të nevojshme për Lojrat Olimpike ishte e kompletuar. Ndërsa në Rio janë shumë prapa, as te 60%-shi. Buxheti në dispozicion është më shumë se 11 miliard euro. Pak më i ulët se ai i Londrës dhe shumë në inferior në krahasim me atë të Pekinit.
Shpenzimet e nevojshme për ndërtimet e strukturave dhe infrastrukturave olimpike është premtuar se do të vijnë kryesisht nga fonde private. Por ndërkohë ka një ankesë për mungesë fondesh që duhen për pastrimin e Gjirit të Guanabaras, që do të përdoret për garat e sporteve ujorë dhe për të cilin sanitarët kanë vënë alarmin se ka nivel të lartë të viruseve dhe fekaleve.
Pa lënë mënjanë pastaj edhe protestat e 800 familjeve, që janë detyruar të zbrazin zonat në afërsi të Parkut Olimpik, për t’u zhvendosur diku tjetër. Ankesa, protesta e përplasje, shpesh edhe me derdhje gjaku, është panorama aktuale e një qyteti, që rrezikon të jetojë në mënyrë stresuese dhe të shthurur një event, që në të vërtetë duhet të simbolizojë krejt tjetër gjë.
Molgen Balena
Tring Sport