Dita e 12-të e botërorit krahas pozicionimeve finale të Grupit A dhe B, përcaktoi gjithashtu edhe çiftet e para që do të ndeshen në fazën tjetër. Kështu Uruguai, që e mbylli në vend të parë në Grupin A do të ndeshet me Portugalinë, e cila e mbylli në vend të dytë në Grupin B. Kjo sfidë që do të vërë përballë plot lojtarë të cilët gjatë këtij sezoni janë ndeshur në rang klubesh kundër njëri-tjetrit, do të diskutohet të shtunën më 30 qershor në Sochi. Spektakli dhe emocionet pritet të jenë të mëdha, kjo pasi sfida direkte e Cavanit dhe Suarezit ndaj Ronaldos është e madhe. Gjatë këtij sezoni të dy lojtarët uruguaian, e panë veten të mposhteshin nga portugezi në kompeticionin më madhor, në atë të Champions League-ës. Por në rang kombëtaresh Uruguai është në formë. Ajo ka gjashtë fitore radhazi, duke llogaritur këtu edhe tre ndeshjet miqësore përpara botërorit.
Interesante është se ata kanë më shumë se 540 minuta pa pësuar asnjë gol, ndërsa Ronaldo e mbylli fazën në grupe duke humbur një penallti. Ndërkohë çifti tjetër është mes Rusisë, që doli e dyta e Grupit A, dhe Spanjës, fituese të Grupit B. Përballja e tyre do të luhet më 1 korrik në Moskë. Kjo do të jetë hera e pestë që rusët përballen me La Rojan. Tre herë janë ndeshur në kampionat evropian dhe rusët nuk numërojnë asnjë fitore. Ndërkohë spikat statistika e një totali prej 15 golash dhe vetëm një sfide të përfunduar 0-0. Pra pritet gjithashtu një sfidë e vështirë dhe spektakolare edhe mes këtij çifti. Rusia përball publikut të saj, do të mundohet së paku të ripërsërisë rezultatin e miqësores së vitit që shkoi ku ndeshja pa 6 gola dhe rezultati qe 3-3.