Francë-Argjentinë dhe Kroaci-Danimarkë janë dy çiftet e dyta të 1/8-ve të botërorit, çifte të cilat u përcaktuan pas ditës së 13-të, ku ia doli të kualifikohej me mjaft mund Argjentina. Por “Lionel Messi & Co.” nuk do ta ketë të lehtë. Përballja e 30 qershorit me Francën parashikohet të jetë edhe më e vështirë se sfida me Kroacinë në grupe. Sidoqoftë në historinë e kësaj përballjeje Argjentina ia ka dalë ta mundë Francën katër herë, 2 herë në botërorët 19930; 1978 dhe 2 herë të tjera në miqësoret e viteve 2007; 2009. Megjithatë rezultati ka qenë gjithmonë i ngushtë 1-0; ose 2-1. Në formacion skuadra e Deshamps ka plot talente dhe vlerësohet me më shumë se 1 miliardë euro si organikë.
Fakti se ndaj Danimarkës pjesa më e madhe e tyre pushuan, e bën disi më të favorizuar përfaqësuesen trikolore. Ndërkohë për Argjentinën vlen vetëm rigjetja e moralit dhe motivacionit të duhur, pasi fizikisht lojtarët kanë shpenzuar shumë, sidomos në sfidën e fundit ndaj Nigerisë. Në anën tjetër, çifti Kroaci-Danimarkë favorizon ballkanasit. Skuadra e Zlatko Dalic konsiderohet favorite për të kaluar më tej duke qenë se kaloi me sukses 3-0 një test përballjeje me Argjentinën në grupe. Gjithsesi danezët nuk duhen nënvlerësuar. Ata kanë pësuar vetëm 1 gol këtë edicion dhe janë treguar tejet të organizuar në fushë. Statistikat tregojnë se në 5 përballjet e fundit rezultatet kanë qenë 2 fitore për secilën skuadër dhe vetëm një sfidë e përfunduar barazim, ajo i vitit 1997 në kualifikueset e Francë 98.