Zbuloni më shumë mbi Rafael Nadal dhe Barty që shkruan historinë

Showbiz

Rafael Nadal konfirmohet për herë të 12 në karrierën e tij si tenisti më i mirë i fushave me dhe. Tenisti spanjoll mposhti 3-1 me sete në finalen e ‘French Open’, të njohur edhe si ‘Roland Garros’, kundërshtarin austriak, Dominic Thiem. Numri 2 i botës fitoi setin e parë 6-3, ndërsa Thiem u përgjigj në të dytin, të cilin e fitoi me vështirësi 7-5. Por Nadal do të ishte i pamëshirshëm në dy setet pasardhëse, në të cilat triumfoi me rezultatin identik 6-1. 3 orë e 4 minuta i janë dashur Rafael Nadal të merrte trofeun e ‘Roland Garros’ për herë të 12 në karrierën e tij, çfarë ai e quajti si vlerësimin më të madh për të. Spanjolli u shpreh në konferencën pas ndeshjes se nuk mendon për rekordet e rivalit të tij më të madh, Federer. Nadal tha se fakti që ka triumfuar 12 herë në ‘Roland Garros’ e bën të ndihet i lumtur dhe krenar më shumë se çdo gjë.

Histori pati edhe tek finalja e femrave, ku Ashleigh Barty mposhti 2-0 me sete 19-vjeçaren Marketa Vondrousova. 6-1 dhe 6-3 ishin rezultatet që i dhanë australianes Barty triumfin e parë në karrierë në një turne kaq të madh. Të dyja tenistet vinin për herë të parë në një finale të një turneu ‘grand slam’, por 23-vjeçarja Barty shfrytëzoi eksperiencën e saj kundrejt Vondrousovas për këtë arritje të madh të saj. Pas këtij triumfi, tenistja australiane, Ashleigh Barty e sheh veten në vendin e dytë të renditje botërore për femra, rezultati më i mirë i karreirës së saj. Ndërsa numri 1 vijon të mbetet Naomi Osaka.