Muajin tjetër pritet të mbahet edicioni i 64-të i festivalit europian, “Eurovision Song Contest”. Është traditë që vendi mikpritës të organizojë një ceremoni hapëse, që këtë vit i është besuar këngëtares me famë botërore, Madonna. Sipas burimeve të mediave të huaja ajo ka rënë dakord për të performuar përpara gjithë të ftuarve të vendeve të tjera. Madonna do të performojë 2 këngë, një nga hitet e saj dhe një këngë të re.
Performanca e këngëtares së pop-it cilësohet si rezervimi më i shtrenjtë, sepse “Bashkimi Europian i Transmetimeve” ka konfirmuar se Madonna do të paguhet 1 milion dollarë. Thuhet se njëra nga këngët e saj përmban një mesazh politik, ndaj këngëtarja ka nisur që tani punën me producentët e festivalit. Kjo do të jetë hera e katërt që Madonna do të dhurojë spektakël në Izrael, sepse ajo ka performuar më parë në vitet 1993, 2009 dhe 2012.