Aktori i njohur turk, Tolgahan Sayisman dhe bashkëshortja e tij, Almeda Abazi sot kanë arritur në Kosovë.
Tolga dhe ekipi i tij nga Turqia janë pritur në takim nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi. Në këtë takim, ata kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit rreth projekteve kulturore, me theks të veçantë në fushën e kinematografisë.
Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, Gashi tha se pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë, është koha që të jetësohen këto projekte:
“Sot prita në takim aktorin me famë botërore Tolgahan Sayisman, me të cilin bisedova për mundësinë e realizimit të disa projekteve kulturore, me theks të veçantë në fushën e kinematografisë.
Siç dihet, para pak kohësh kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës me Republikën e Turqisë dhe tani është mundësia që ta jetësojmë me projekte konkrete duke përfshirë edhe aktorin Tolgahan. Përvoja dhe emri i njohur, por edhe dashuria e tij për vendin tonë është mundësi e re për ne. KG”