Revista Living është padyshim një ndër më të preferuarat në treg. Në një nga numrat e saj gjejmë intervistën më të sinqertë dhe “pa dorashka” të 3sha-ve:
Bora, e pate të vështirë të hyje mes tyre?
Më kanë pritur mirë.
Këta thonë që ti hyre pa u penguar fare.
Po, nuk pata stërkëmbës. Hyra rehat. (qesh)
Romeo: Çdo gjë erdhi natyrshëm, aq sa në një moment e pamë veten në skenë me Borën. (qesh)
Donaldi: Bora është si qershia mbi tortë ose mbi kek.
Romeo: E po, ç’kuptim ka mbretëria pa mbretëreshë?
Jeni dy mbretër dhe një mbretëreshë. Kush është mbretëresha tjetër?
Romeo: Është mami te shtëpia.
Bora, me cilin kuptohesh më shumë profesionalisht?
Me të dy. Çdo gjë që ka lidhje me punën, e diskutojmë të tre. Herë dal unë e keqja, herë Donaldi e herë Romeo. Sa herë që ndodh diçka e tillë, dy të tjerët mundohen të qetësojnë “të keqin”.
Si është një ditë pune juaja?
Ndodh që mund të zihemi për dy-tri minuta, jo më shumë. Ama çdo diskutim e debat mes nesh bëhet për të mirën e programit. Ky është programi ynë, e duam njësoj të tre dhe çdo gjë që themi, është në të mirë të kësaj tresheje. Sado fjalë të këqija të nxjerrim nga goja, dihet që qëllimi është i mirë.
Të ka ndodhur t’i ngatërrosh ndonjëherë?
Asnjëherë. Madje mua më duken shumë të dallueshëm. Habitem që njerëzit i ngatërrojnë.
Përpiqen të të vënë ndonjëherë në lojë ose në vështirësi?
Nuk më vënë në lojë apo në pozita të vështira. Dita me ta është e mbushur me batuta dhe humor, nuk ndihet lodhja.
Romeo është autori i programit. A ndihet kjo tek ti dhe Donaldi?
Ai nuk është nga ata shefat që thonë se kjo është kështu siç them unë dhe gjithçka ka marrë fund. Romeo ulet me ne dhe të tre diskutojmë për programin.
Djem, si ju ka bërë për vete Bora? Cila është pika e saj më e fortë?
Donaldi: Komunikimi.
Romeo: Bora është një vajzë e formuar, e realizuar, një moderatore shumë e mirë, që e bën shumë mirë punën e saj, shtoji këtu edhe bukurinë fizike… E po, të gjitha këto e bëjnë një partnere shumë të mirë për ne.
Tani që midis jush është edhe Bora, a është prishur disi balanca profesionale?
Romeo: Ne kishim nevojë për një të tretë dhe më vjen mirë që kjo është Bora. (qeshin)
Kohët e fundit je komentuar për një histori të mundshme dashurie me Jonida Maliqin. Ke ndonjë gjë për të thënë?
Sigurisht që kam. E para është: më lini rehat! E dyta: jeta ime më përket vetëm mua.
Je i lumtur?
Po, jam shumë i lumtur.
Romeo dhe Donald, ju keni edhe një vëlla tjetër. Jeni po aq të lidhur me të, sa me njëri-tjetrin?
Romeo: Atë e duam më shumë, por me njëri-tjetrin kalojmë më shumë kohë, për shkak të punës.
Ka ai premisa të ecë në hapat tuaj?
Romeo: Ai s’ka fare premisa të ecë në hapat tanë. Mario është 21 vjeç dhe është një ekonomist shumë i mirë.
E imagjinoni dot vazhdimin pa njëritjetrin në profesion?
Romeo: Jo. Për momentin, jo. Më vonë, nuk i dihet. Donaldi ka prioritet pikturën, por hëpërhë jemi shumë mirë bashkë.
Donaldi: Piktura është shumë e rëndësishme për mua. Nuk është hobi dhe pasion, por diçka që nesër mund të jetë primare në jetën time. Televizioni është i bukur, por piktura është ajo që më mbush vërtet.
Jeni gjithë kohën bashkë, edhe për shkak të profesionit. E mendoni dot jetën tuaj të ndarë?
Romeo: Ne jetojmë veç, por pasi shkëputemi një orë nga njëri-tjetri, e marrim në telefon duke pyetur: ç’po bën? Edhe pse fizikisht një pjesë të ditës mund të mos jemi bashkë, shpirtërisht jemi gjithmonë bashkë.
Përveç optimistit dhe pesimistit, ekzistojnë për ju edhe karakteristika të tipit: i urti, i marri, i binduri, rebeli?
Bora: Po, por i kanë me radhë, një ditë njëri, një ditë tjetri. (qesh)Romeo: Unë nuk jam i turpshëm, por Donaldi është më gjaknxehtë. Nuk është se jemi njëri më i urtë, tjetri më i shkathët. Njëri është më i hedhur, tjetri më indiferent.
Mendoni se njëri prej jush është më i talentuar në aktrim?
Donaldi: Normalisht që është Romeo, se e ka profesion. Unë e kam pasion, por nuk e di nëse do ta bëj gjatë. Varet se si do të marrë jeta. Nuk besoj se jam më i miri në aktrim dhe as nuk i var shpresat tek televizioni dhe ekrani. Nuk jam nga ata që kërkoj që publiku të më adhurojë. Romeo: Ai njeriu jam unë. Makthi im është të mos më qeshë më publiku.
Thonë se ku ka binjakë, ka telashe. Si është për ju të dy?
Bora: Po, e vërtetë është. Ata janë telash për të tjerët. E kthejnë në lojë, pa e marrë vesh njeri. Merren vesh vetëm me sy mes tyre.
Keni sukses me vajzat?
Po! (njëzëri)
Besoni te dashuria?
Po. (të dy)
Romeo: Prandaj kemi sukses me vajzat, se besojmë te dashuria.
Sa herë e keni takuar dashurinë?
Romeo: Disa herë, në Bllok.
Sa herë keni rënë në dashuri?
Romeo: Vetëm një herë.
Ka ndodhur kjo me vajzën e parë apo të fundit?
Romeo: Mund të ketë qenë edhe e mesit. (qesh) Me të fundit.
Sa herë ke rënë në dashuri ti, Donald?
Donaldi: Një herë edhe unë.
Çfarë është dashuria për ju të dy?
Romeo: Dashuria për mua është një buzëqeshje që më pret në darkë në shtëpi dhe një buzëqeshje që më përcjell në mëngjes.
Donaldi: Për mua është gjëja më e bukur që ndodh gjatë ditës.
Çfarë ju bën të dashuroni një vajzë?
Donaldi: Unë mendoj që nuk ka shpjegim. Është çështje kimie.
Romeo: Mjafton t’i qeshin sytë gjithmonë.
Keni shije të ngjashme për vajzat?
Donaldi: Jo, jemi të ndryshëm. Unë nuk e kam qejf ekspozimin dhe mendoj se edhe vajza që rri me mua, nuk duhet ta ketë qejf, se në përgjithësi vajzat duan vëmendje.
Besoni në familje, e doni këtë gjë?
Romeo: Sigurisht që po. E kemi edhe në tatuazh të përbashkët familjen.
E mendoni krijimin e familjeve tuaja si një gjë të afërt?
Romeo: Kur të ndodhë, të ndodhë, ne po përgatisim rrugën.
Si është vajza juaj ideale?
Donaldi: Me mendje dhe me zemër.