Aktori i njohur i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar në një ceremoni madhështore me stilisten Zeynep Mayruk, me të cilën janë bashkë prej pesë vjetësh. Imazhet e para të dasmës, të cilat tërhoqën vëmendje të madhe në rrjetet sociale, dëshmuan edhe një paradë të të famshmëve. Pamjet e dasmës së çiftit krijuan një jehonë të madhe në rrjetet sociale ku fansa të shumtë të aktorit dhe emrit të njohur në fushën e modës i përgëzuan dhe uruan ata me fjalë zemre.
Tolga Sarıtaş, i njohur për aktrimin e tij të suksesshëm në produksione të ndryshme nga serialet deri te filmat, në një nga intervistat e kohëve të fundit kishte folur për jetën private dhe arritjet e tij profesionale dhe mes të tjerash ishte shprehur se ndihej mirënjohës për gjithçka kishte pasur dhe krijuar deri tani e madje kishte cituar se nuk dëshironte të ndryshonte shumë gjëra në jetën e tij të tanishme.
Ceremonia e organizuar në Çeşme ishte plot ngjyra dhe dinamika jo vetëm nga entuziazmi i çiftit por gjithashtu edhe nga brohorimat dhe festa e krijuar nga miqtë e tyre të famshëm të cilët ishin të pranishëm.
Ndër emrat e shumtë të të ftuarve përmendim Oğulcan Engin, Özgür Çevik dhe aktorin e famshëm Engin Akyürek me të cilin Saritash ndau rolin kryesor në projektin e fundit, një film i prodhuar nga Netflix.
Sarıtaş nuk ka postuar asgjë nga dita e dasmës së tij, por bashkëshortja e tij po! Mayruk ka postuar një foto të vetme me mbishkrimin: “Ti dhe unë. 27.06.2024“. Kujtojmë se çifti i cili është bashkë prej pesë vitesh, u fejua më 23 shkurt dhe e finalizoi dashurinë me fundin e lumtur në ceremoninë madhështore të dasmës ditën e djeshme.