Një video është duke qarkulluar në rrjet, ku shihet se gjatë koncertit të këngëtares Dua Lipa ne Shanghai, disa fansa janë larguar me forcë nga personeli i sigurisë. Teksa Dua ishte duke performuar një prej hiteve të saj, puntorët e sigurisë shkuan drejt disa personave që ndodheshin në rreshtat e parë të koncertit dhe filluan t’i ngrinin nga vendi, madje përdorën dhe forcë ndaj tyre për t’i detyruar të largohen. Por a u bë kjo për shkak të sigurisë së artistes? Duket se jo, edhe pse një version zyrtar për incidentin ende nuk ka dalë. Fansat e tjerë të pranishëm në koncert kanë thënë se në fakt personeli i sigurimit i ka larguar njerëzit sepse ata mbanin disa flamuj të cilët i përksain komunitetit LGBT.
Në Kinë, shfaqje të tilla përkrahjeje për këtë komunitet konsiderohen të paligjshme. Të tjerë dëshmitarë kanë thënë se ky incident ndodhi pasi disa fansa ishin çuar në këmbë dhe po kërcenin, mesa duket dhe kjo nuk është diçka që bëhet rëndom në Kinë. Sido që të jetë e vërteta, shfaqja e dhunës tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve dhe përdoruesëve të rrjeteve sociale, duke lënë në hije për disa sekonda shfaqjen e Dua Lipës. Kjo e fundit reagoi menjëherë pasi pa veprimet e punonjëve të policisë dhe i tha publikut se ajo donte që të gjithë të kalonin mirë, të kërcenin e të shijonin këngët e saj, duke u përpjekur që të rikthente sërish atmosferën e duhur.