Policia e Los Angeles-it rrethoi shtëpinë e reperit amerikan, Chris Brown, pas një telefonate se ai kishte kërcënuar me armë një vajzë.
Për orë të tëra, oficerët bashkë me një “ushtri” gazetarësh qëndruan jashtë shtëpisë, pasi Brown refuzonte t’i linte ata brenda. Madje gjatë këtij momenti, 27-vjeçari postoi një seri videosh në rrjetet sociale, përmes të cilave pretendonte se ai është akuzuar padrejtësisht.
Megjithatë kjo aventurë përfundoi pasdite vonë, kur Brown u arrestua me dyshimin për sulm me armë vdekjeprurëse. Ai u lirua me kusht nga paraburgimi rreth orës 23:15 të darkës pas pagesës së 250 mijë dollarëve.
Incidenti filloi të martën herët në mëngjes, kur LAPD mori një telefonatë nga një grua që pretendonte se ishte kërcënuar nga këngëtari. Gruaja, Baylee Curran, tha për “Times” se Brown i drejtoi armën para se ajo të vraponte jashtë.
Curran tha se ajo dhe një shoqja e saj shkuan në shtëpinë e Brown-it për një çështje biznesi. Ajo donte të bisedonte me Brown në lidhje me projektet e ardhshme por gjithçka shkoi keq kur Brown nxori armën.
Curran tha ajo po largohej me shoqen e saj, por u detyrua të presë të porta në mënyrë që një nga bashkëpunëtorët e Brown t’i jepte asaj telefonin që dorëzoi si kusht për të hyrë në vendbanimin e këngëtarit. Një nga bashkëpunëtorët e Brown i tha se do t’ia kthejë atë vetëm nëse ajo nënshkruan një marrëveshje moszbulimi.
Më pas ajo refuzoi, ia rrëmbeu telefonin e saj nga duart dhe u largua nga prona e fqinjit derisa ky i fundit lajmëroi policinë.
Nuk është hera e parë që Brown përballet me akuza të tilla. Këngëtari ka sulmuar fizikisht edhe ish-të dashurën e tij, Rihanna, në vitin 2009 dhe rasti i fundit do të ketë pasoja negative për të.