“Si durove kaq shumë kur djali yt i vetëm u largua me gomone 14 vjeç” rrëfimi drithërues i Aurela Gaçes

Showbiz

Për Aurela Gaçen, dhjetori është muaji më i ëmbël i vitit e jo vetëm për shkak të festave, por sepse dy prej personave më të çmuar për të, vajza e vogël dhe e ëma, kanë lindur pikërisht këtë muaj. Pak ditë më parë Abigail mbushi 4 vjeç dhe mami Aurela nuk i kurseu fjalët e zemrës, por në urimin e djeshëm për mamanë ajo na emocionoi aq shumë dhe na përloti të gjithëve, pasi historia e saj është e ngjashme me atë mijëra nënave shqiptare.

Në foton e publikuar në Instagram, ku edhe vihet re ngjashmëria, Aurela shkruan “Gëzofsh edhe 100 ditëlindje pranë nesh ma. Ne, 3 fëmijët e tu, u rritëm nga një grua e fortë, e dhimbsur në të njëjtën kohë, zemërgjerë, luaneshë kur duhej, e lirë në shpirt e në mendje. S’e kisha parë kurrë të qante në syrin tonë, derisa iku në emigrim vetëm 14 vjeç, vëllai i vetëm, me gomone e më vonë motra 15 vjeç. Vetëm atëherë e pashë të thyhej, duhet të duronte pa i parë vite e vite , priste një telefonatë nga ata, një zë që thoshte se ishin mirë. Si mund të durojë kaq shume zemra e nënës e prapë të gjejë forcë te japë e japë për gjithë njerëzit qe e rrethojnë? Përpjekjet për një jetë më të mirë vazhdonin. I mora këtu prindërit, të ishim bashkë.

Pa e kuptuar se si ata ndiheshin të humbur. Punën që kishin pasur, ishte e vështirë ta kishin po njësoj, familja e tyre nuk ishte me afër, rreth i të afërmve, i miqve nuk ishte më aty. Unë isha fare e re e s’e kuptoja dot këtë ndryshim që ndodhte për ta. Ajo ishte mami-infermiere . Mbaja mend si fëmijë që binte dera me urgjencë kur kishte ndonjë lindje të vështirë e megjithëse nuk ishte turni i saj, njerëzit që ishin në hall e kërkonin. Vonë e kam kuptuar sa e zonja ishte. Kishte të bënte me jetë njerëzish e ata e besonin. Në Tiranë ishte vështirë të gjente të njëjtën punë, e turnet e natës nuk ishin më të përballueshme. Punoi më vonë në konsultoren e fëmijëve ,e sot ka shumë njerëz që më thonë se mami është kujdesur për fëmijët e tyre.

Ka shumë që më thonë se mami i ka pritur te vinin në jete nga duart e saj. Unë ndihem shumë krenare. Ndërkohë ajo vazhdon rri pa gjumë kur sëmuret ndonjë nga vajzat e mia. Përkushtim nga ai që japin vetëm gjyshet. E palodhur për të më ndihmuar,në çdo situatë. Mami ,të duam shumë . Jetofsh e gëzofsh sa më gjatë me ne. Jam krenare që jam rritur nga ti. 3 fëmijët e tu, sot, janë të tillë se u rritën nga një nënë si ti.”