Esteri është një vajzë e ëmbël dhe shumë pozitive dhe, përveç moshës, këto tipare e kanë bërë të fitojë zemrën e gjithë ekipit. “Më pëlqen shumë dhe jam pafundësisht e lumtur që jam pjesë e këtij seriali. Ndihem me fat, sepse është një përvojë që as e kisha jetuar dhe as e kisha menduar ndonjëherë. Më erdhi papritur,” – ndan me ne Esteri. E reja është në vitin e dytë të shkollës së mesme “Qemal Stafa” dhe përfshirja në këtë sipërmarrje televizive, kërkon shumë impenjim dhe sakrifica nga ana e saj, që në fakt Esteri nuk i konsideron të tilla. “Kalojmë shumë kohë këtu, sidomos me xhirimet, që na marrin shumë orë. Pasi mbaroj mësimin, çdo ditë vrapoj menjëherë për në prova. Është pak e lodhshme, por vij me qejf, sepse është ajo çka më pëlqen më shumë: të aktroj. Ka pasur ditë kur xhirimet kanë zgjatur deri në mëngjes, por nga dëshira e madhe, nuk ndihem e lodhur.” Esteri ka dy vëllezër, por tashmë Erinin e konsideron të tretin, pasi kimia e tyre si motër e vëlla në serial është bërë shumë e fortë edhe në përditshmëri. “Secili prej pesë aktorëve ka zënë rolin e vet, ashtu si në jetën e vërtetë, dhe unë ndihem si në familje. Kam menduar shumë here që këtij projekti mund t’i vijë fundi. Madje, edhe kur iki në shtëpi pas provave mendoj se si do të ndihem kur të mbarojë. Kënaqemi shumë dhe është një përvojë shumë e bukur për mua,” – tregon më e reja e grupit të xhirimit. Esteri, me talentin e saj, i ka dhënë formë personazhit të Dorës dhe së bashku me pjesëtarët e tjerë krijon një buqetë personazhesh shumë të dashur dhe komike.