“Familja Kuqézi” vjen me nota të ngrohta dhe gazmore, dhe gjithçka falë punës së mirë të bërë me tekstet, falë shpirtit që aktorët kanë dhënë në rolet e tyre, por edhe skenografisë së realizuar mjeshtërisht nga Albi Çifligu.Është koha për shërbimin fotografik të revistës dhe sigurisht që takimi s’mund të lihej gjëkund tjetër veçse në shtëpinë e tyre: në shtëpinë Kuqézi. Secili nga gjashtë aktorët po përgatitet në cepin e tij, sepse ky sheshxhirim është kthyer në një shtëpi të dytë për çdonjërin prej tyre.Genti Kame (Albert Kuqézi), si çdo burrë që i duhen vetëm dy minuta të bëhet gati, është ulur pranë një ngrohëseje e po pret. Adelina Muça (Bela Kuqézi), nga dhoma e saj e gjumit, po u jep dorën e fundit flokëve.Gent Hazizi, në rolin e Eduartit, xhaxhait të familjes, ka zënë një cep në sallon, duke u kotur mbi kitarë, ndërsa dy fëmijët adoleshentë: Erin Kujofsa (Fatjon Kuqézi) dhe Ester Alushi (Dora Kuqézi), nuk mund të jenë veçse “të kyçur” nëpër dhomat e tyre.
Ah, kemi edhe nënën e dy personazheve meshkuj, Albertit dhe Edit, roli i së cilës, Mines, interpretohet nga aktorja e mirënjohur e teatrit shkodran, Merita Smaja. Nuk para duket shumë nëpër shtëpi, por pas Bertit dhe Edit ndihet se është gjithmonë një dorë e fortë.Çdo episod i serialit ka të ftuar special një personazh të njohur, i cili përcillet nën një petk karakterial të krijuar sipas ngjarjeve që zhvillohen në “Familjen Kuqézi” në atë episod.Mbase mund të duket si engjëlli i shtëpisë, e vogla, e ëmbla, por edhe ajo nuk është pa gjë: sa e dashur, aq edhe tinëzare dhe gjithë teka e mendime adoleshentësh. Kjo është Dora Kuqézi, personazhi i pestë i serialit komik, që në fakt është ca nota më poshtë nga Ester Alushi, aktorja që e interpreton atë.