Në vitin 2007, këngëtari i njohur Robbie Williams kaloi periudhën më të vështirë të jetës së tij. Ai ishte shumë pranë vdekjes si pasojë e konsumimit të lëndëve narkotike. Mirëpo, tani që duket se ky moment i errët i jetës së tij u harrua një herë e përgjithmonë, Williams në një intervistë për “The Sun” ka pranuar se, edhe pse nuk e konsumon më drogën, shpesh tundohet nga mendimi.
42-vjeçari është në pritje të albumit të tij të 11-të solo, ndërkohë që ka pranuar se dedikimi ndaj muzikës e ka ndihmuar të stabilizohet nga varësia ndaj drogës.
Ai gjithashtu ka treguar se ka pasur edhe probleme psikologjike si pasojë e ankthit, por është munduar shumë që këtë mos ta shfaqë në dalje publike. Robbie gjithashtu ka treguar për herë të parë se kontakti i tij me drogën ka nisur që në vitet e adoleshencës, ndaj dhe është mjaft e vështirë për të që të qëndrojë larg përgjithmonë.
Megjithatë, 2 fëmijët që ka e motivojnë të jetë një njeri i shëndetshëm dhe një baba shembullor, ndaj dhe ai ka premtuar se nuk do t’i kthehet më kësaj rruge.