Rita Ora ka arritur sukses të jashtëzakonshëm edhe në industrinë e modës, duke u kthyer në personazh me influencë. Ajo ka bashkëpunuar me emrat më të njohur të stilit në botë dhe me markat më prestigjioze. Vetëm pak ditë më parë ajo ndau me të gjithë fansat e saj lajmin se po bashkëpunonte me dizenjuesin italian të këpucëve, Giuseppe Zanotti, për të nxjerrë një koleksion çizmesh të modeleve të ndryshme. Ndërsa së fundmi, Rita ka zbuluar se është bërë imazhi i një firme të njohur veshjesh gjermane, ‘Escada’.
Këngëtarja me origjinë shqiptare ka thënë se ndihet e nderuar që i është dhënë kjo mundësi. Për më tepër ajo ka treguar se ‘Escada’ është për femrat e forta, gjë që përshtatet shumë me kauzën e Ritës për forcimin e rolit të vajzave dhe grave në shoqëri. Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja bëhet imazh i një marke, sepse më herët ajo ka qenë imazhi i ‘Rimmel’, Adidas’ etj.