Ka filluar tashmë muaji i modës dhe ka qenë Tom Ford ai që hapi siparin në New York ku prezantoi në pasarelë trendet e reja për pranverën e vitit 2019. Pas Tom Ford deri më tani kanë qenë edhe disa firma të tjera që kanë prezantuar koleksionet e tyre të reja dhe sigurisht ky muaj do të jetë i mbushur me plot ngjarje të tilla. Të gjithë personazhet e njohur, modelet dhe blogeret kanë fluturar drejt New York për ta ndjekur më afër këtë ngjarje të bukur. Edhe këtë vit modelet e preferuara të firmave janë motrat Hadid, Kendall Jenner dhe Kaia Gerber.
Bella Hadid sipas ‘Vogue’ është mishërimi sot i bukurisë së viteve ’90, e cila ka ngjashmëri të frikshme me ikonën e bukurisë Carla Bruni. Është komentuar shumë kjo ngjashmëri midis tyre, madje edhe natën e parë në Javën e Modës në New York. Bella teksa kishte veshur një fustan pas trupit dhe modelin e flokëve gjysëm të kapur na çoi pas në vitet ’90 dhe njerëzit e kishin të vështirë të bënin dallimin nëse ajo ishte Bella Hadid apo Carla Bruni, pasi edhe kjo e fundit pikërisht me këtë look si modelja është shfaqur në sfilatën e Chanel në vitin 1990. ‘Vogue’ këtë ngjashmëri dhe krahasim Bella-Carla e ka konsideruar si një fillim të denjë të muajit të modës.