Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama është një nga gratë më frymëzuese ne botë. Edhe pse tashmë është larguar nga Shtëpia e Bardhë, ajo kujdeset që herë pas here të japë mesazhe mjaft frymëzuese dhe të ndihmojë njerëzit në nevojë. Ajo bashkë me ish-presidentin Barack Obama dhe vajzat e saj nisën një jetë të re pas përfundimit të mandatit, jashtë vëmendjes së mediave dhe përgjegjësive politike. Por sigurisht ato nuk ndaluan me projektet e tyre dhe patën edhe një lloj reflektimi, gjë të cilën Michelle e ka pasqyruar në një projekt mjaft të madh, siç është publikimi i një libri i cili do t’i japë mundësi njerëzve ta takojnë atë.
Ka qenë vetë ajo që ka postuar në Instagram lajmin se tashmë ka përfunduar puna me librin e saj i cili do të publikohet më 13 nëntor. Ajo e ka konsideruar si një ditë mjaft të rëndësishme për të dhe është e lumtur që do të ndajë me botën periudhën jashtë Shtëpisë së Bardhë, ku ka pasur mundësi të mendojë për njerëzit, historitë dhe të gjitha eksperiencat që e bënë të jetë kjo që është sot. Libri do të titullohet “Becoming” dhe do të përmbajë ngjarje dhe histori mjaft interesante të jetës së Michelle Obama-s. Sigurisht që fitimet nga libri do të jenë marramendëse sepse do të jetë vetë ish-zonja e parë që me anë të një turi do ta prezantojë atë dhe do të takohet me njerëzit. Ajo i fton të gjithë me anë të rrjeteve sociale që të jenë pjesë e tureve të saj.