Akoma pa kaluar një javë nga dasma e shumëpërfolur mbretërore midis princit Harry dhe dukeshës së re të Sussex-it, Meghan Markle, çifti i sapomartuar kanë bërë prezantimin e parë publik pas ceremonisë madhështore të së shtunës. Ata ishin të pranishëm në kopshtin e Buckingham Palace ku morën pjesë në 70-vjetorin e lindjes së princit Charles, babait të Harryt. Në të vërtetë ky i fundit ka lindur më 14 nëntor, por duke qenë se bëhet fjalë për një përvjetor, oborri ka vendosur të nisë festimet e datëlindjes së tij 6 muaj më herët.
Harry mori fjalën i pari. Ai nisi të tregonte për arritjet dhe rëndësinë e të atit, por në një moment pranë tij kaloi një bletë dhe ai ndali fjalimin: “Më falni, ajo bleta më preku vërtetë”, -tha ai. Kaq mjaftoi që bashkëshortja e tij Meghan dhe njerka Camila të qeshin përpara të gjithëve. Ato të dyja nuk e ndalnin dot të qeshurën dhe video e tyre ka bërë sot xhiron në të gjitha mediat.