Për ju që keni ndjekur “lojën” që ka nisur në rrjet mes Albanit dhe Florit, me siguri u bindët se dy nga kantautorët më të suksesshëm shqiptarë do të finalizojnë me një këngë.
Albani dhe Flori, për vite me radhë e kanë duartrokitur suksesin e njëri-tjetrit, por nuk janë bërë asnjëherë bashkë për një këngë. Jo sepse ka munguar dëshira, por sepse, në fund të fundit janë rivalë ndoshta?
Kjo e fundit, nuk është e vërtetë. Dhe këtë sapo e konfirmoi vetë Albani në një intervistë të fundit.
Kështu, i pyetur çfarë po kurdisin ata të dy, sidomos pas ngacmimeve të fundit në rrjetet sociale, Albani tha se ajo që po bëjnë, në fakt, është një lojë: “Nuk do thoja që ka një këngë, por ka një lojë. Është një lojë që, kam përshtypjen se është hapur dhe nuk e di deri ku do shkojë…”
Po a do kurorëzohet me një këngë? “Nuk e di, duhet të pyesni Florin”,- përgjigjet Albani me të qeshur si për t’ia lënë mikut të tij barrën më të madhe – atë të kompozimit të këngës.
“Është sfidë e madhe, sepse ne jemi rivalë në fund të ditës (bëj shaka). Ky rivaliteti i famshëm që, realisht nuk ekziston, por neve na pëlqen shumë si e shohin njerëzit dhe duam t’i hedhim pak benzinë zjarrit. Nuk e di kush do ta bëjë këngën…”, – shton Albani duke theksuar se marrëdhënia e tij me Florit, në fakt, është e gjatë dhe e fortë.
Dëshira për të bërë një këngë, është patjetër. Pritet vetëm momenti dhe koha e duhur: “Ne e respektojmë shumë njëri-tjetrin si njerëz dhe si artistë…”