Protagonisti i serialit “Rejan”, i cili interpretoi personazhin e Miranit, Akën Akınozu, u pa ditët që lam pas me të dashurën e tij Sandra Pestemalxhan, me të cilën, prej një kohe të gjatë janë në një lidhje të qëndrueshme romantike. Gjatë intervistës, deklarata e aktorit tërhoqi vëmendjen për shkak të notave të trishtimit që Akınozu përcolli.
“Po kaloj një vit të mirë për sa i përket karrierës, por të keq për sa i përket anës shpirtërore. Tërmeti më lëndoi thellë. Në këtë muaj të shenjtë, lutjet e mia shkojnë për ta”, tha ai. Gjithashtu, aktori ka folur edhe për projektin me të cilin është i angazguar së fundmi dhe duke iu referuar zhvillimeve në sheshxhirim, zbuloi se puna i është rikthyer sërish ritmit normal.
“Gjatë kësaj periudhe nuk janë përjashtuar as ditët me intesitet, ku oraret e xhirimeve edhe e kanë tejkaluar orarin zyrtar. Finalja e projektit po afron. Së bashku me kolegët jemi duke punuar shumë, por unë gjithashtu kam filluar që tani të mendoj dhe ëndërroj për sezonin veror, të cilin parashikoj ta kaloj duke pushuar dhe lexuar skenare”, deklaroi Akinozu në intervistën e fundit, përmes së cilës zbuloi edhe planet për sezonin veror.