Özge Özpirinççi, e cila kishte deklaruar se pasi të sillte në jetë foshnjen e saj do të qëndronte për njëfarë kohe larg sheshxhirimit së fundmi, aludohet se po përgatitet t’i rikthehet xhirimeve me një projekt të ri.
Aktorja prej disa muajsh shijon mëmësinë duke qëndruar përkohësisht larg projekteve dhe kontratave për t’u bërë pjesë e tyre, mirëpo flitet se vetëm ditët e fundit ajo i ka thënë “po” ofertës për t’u bërë pjesë e një projekti të ri të regjisorit dhe skenaristit Yavuz Turgul. Aktorja e famshme që me interpretimin e personazheve të paharruara si ai i Baharit në serialin “Grua”, apo Dujgusë në filmin “E hidhur, e ëmbël, e thartë”, si dhe shumë prodhime të tjera, duket se nuk ka mundur dot të qëndrojë gjatë larg dashurisë së madhe për profesionin e saj, apo larg tundimit nga ofertat dhe mësohet se në projektin e saj të radhës, i cili do të jetë një film, asaj i është ofruar roli protagonistes.
Nuk dihet shumë për titullin e këtij projekti, por deri tani mësohet se aty ngjarjet zhvillohen rreth historisë së një fëmije dhe situatave në familjen e tij. Ky projekt do t’i prezantohet publikut në një platformë dixhitale të njohur ndërkombëtarisht.