Stine dhe partnerja e tij, Graciela, pak kohë më parë deklaruan në rrjetet sociale se nuk ishin më bashkë. Pavarësisht kësaj, çifti ka treguar se vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin dhe se takohen shpesh herë, për shkak të vajzës. Kjo situatë është komentuar shumë dhe është kthyer në kryefjalën e mediave, megjithatë duket se disa komente e kanë ‘bezdisur’ Gracielën. Bëhet fjalë për një status të gazetarit Olti Curri në ‘Facebook’, ku shkruan: “Me cilin personazh publik do të shkonte Stine si çift?”.
Ky status ka sjellë menjëherë reagimin e Gracielës në ‘Instagram’. “Po prit të bëjë 6 muaj i ndarë të paktën, që dhe ai të qartësohet çfarë do të bëjë me veten dhe jetën e tij, pastaj hidh kandidaturat”, ka shkruar Graciela, duke e shoqëruar komentin e saj me disa ‘emoji’. Kjo situatë mund të jetë në kuadrin e shakasë dhe mesa duket, Olti ka vendosur të mos të reagojë ndaj komentit të Gracielës.