“Nuk ma fali dhe s’folëm për 6 muaj” Nik Xhelilaj rrëfen zhgënjimin e parë që i shkaktoi të atit kur ishte adoleshent

Showbiz

Pas një mungese të gjatë në mediet shqiptare, Nik Xhelilaj u rikthye në një emisionin , ku aktori i njohur tregoi detaje të pazbuluara më parë nga fëmijëria e tij, arsyen pse e vazhdoi aktrimin dhe projektet e tanishme e ato që pritet të dalin.

Niku rrëfeu se në moshën 14 -vjeçare prindërit e kishin dërguar në një shkollë ushtarake në Turqi, eksperiencë që nuk zgjati shumë pasi ai vendosi të largohej pas pak kohësh e kjo gjë u bë shkak që i ati të mos i fliste për 6 muaj.

“Kam qenë 14 -vjeç kur shkova në Turqi, kujtoja se kishte qenë ideja vetëm e babit që të shkoja atje, por tani në pandemi kur isha në Shqipëri në mars, para se të ikja më thotë mami “Jo, jo, unë aplikova emrin tënd” edhe që të më vinte nga mami kjo surprizë nuk e dija, paska qenë mami fajtore. Në ato vite më kujtohet rruga që bëja nga Pallati Kulturës deri në Stamboll me autobus në ’97-98. Gjithsesi unë e lashë shkollën, vetëm 4 muaj qëndrova dhe ika, e kisha të vështirë se isha i vetmi që vija nga Tirana, djemtë e tjerë shqiptarë ishin nga rrethinat. Pas këtij vendimi për 6 muaj nuk më ka folur babai. Ai blinte biletën (50 dollarë) çdo të dielë që të nisesha të hënën për Stamboll, e ruante poshtë jastëkut.”– tregoi Xhelilaj me nota humori, por duke zbuluar edhe sakfirificat që i ati bënte në atë kohë në mënyrë që ai të shkonte në Turqi dhe të merrte drejtimin ushtarak.