Të kesh një motër të famshme nuk është dhe aq qejf sa duket, madje nuk është fare qejf. Noah Cyrus, motra e vogël e Miley Cyrus i ka rrëfyer të gjitha në këngën e saj “The End of Everything”.
E quan rreze dielli motrën, kurse për veten tregon se është rritur nën hijen e saj.
Për të gjithë pastaj Noah u shpreh edhe më gjatë në një video live.
“Gjithmonë jam ndjerë sikur isha ajo për të cilën nuk donte t’ia dinte askush, nisur nga çfarë më shkruanin dhe më thoshin online. Isha absolutisht e padukshme, prandaj kam shkruar ato vargje. Ishte diçka që ma thoshin të gjithë: pavarësisht gjithçkaje, unë do të isha përherë në hije. E kam dëgjuar këtë fjali për gjithë jetën time, çdo ditë të saj.
Në një mënyrë ose një tjetër unë nuk isha mjaftueshëm, ndoshta nga pamja ime apo nga tipi im. Ndonjëherë ndihem sikur as nuk marr dot frymë tamam. Prandaj erdhi kjo këngë, e cila ka një pjesë të madhe të jetës time në të. Me shumë gjasa, s’do të flas më për këtë çështje. Ju që jeni të rinj dhe e njihni internetin, mund ta merrni me mend sa e vështirë ka qenë për mua”.