Nëse ka një personazh të njohur që viti 2016 i ka dhënë shumë, ajo është Elia Zaharia. Jo vetëm për sa i përket sferës profesionale ku kjo e fundit ka arritur disa suksese në aktrim, por edhe në atë personale duke u kurorëzuar si princesha shqiptare në një ceremoni përrallore martese vetëm pak muaj më parë.
Elia ka vendosur që disa prej kujtimeve më të mira që ka mbajtur me vete nga ky vit që po largohet t’i ndajë me të gjithë ndjekësit e saj në Facebook, duke bërë kështu jo vetëm një përmbledhje të momenteve më të bukura, por edhe për të falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e këtij viti.
“Ky vit që po lëmë pas, për ne do të mbetet vit i paharruar. Ndoshta më impenjativi dhe më emocionuesi… Filloi me një dashuri të madhe profesionale në shfaqjen “Tri motrat”, ku roli i Irinës më dha një tjetër dimension si aktore. Më pas udhëtova drejt qytetit të zemrës, Parisit tim të shtrenjtë. U çmalla disi me miqtë e mi, me rrugët e atij qyteti, urat e mrekullueshme, muzetë dhe ajrin e tij. Në kthim filluan menjëherë përgatitjet për ditën më të rëndësishme, kurorëzimin e dashurisë sonë. Të gjithë ata muaj intensivë, të ngarkuar me përgjegjësi, emocion, ide, krijim, takime dhe raporte njerëzore nga më të veçantët do të mbeten një rrugëtim i paharruar. Dhe dita më e veçantë për ne erdhi me diell, me miq të shumtë, me shije tradite dhe kulture shqiptare, erdhi ashtu siç e kishim ëndërruar. Më pas, si një surprizë e bukur, erdhi xhirimi i filmit “Yjet e së ardhmes”. Mezi pres ta shoh në kinematë e qytetit. Dhe një tjetër dhuratë e dashur ishte “Kënga magjike”. Tri net të mbushura me emocion, nostalgji për skenën e madhe dhe muzikën. Ky vit që po lëmë pas do të mbetet Viti i Paharruar! Dua të falënderoj të gjithë ata që më dhanë dorën dhe u bënë bashkudhëtarë, të gjithë ata që më dhanë besim dhe më bënë pjesë të rrugëtimit të tyre! Një përqafim i ngrohtë për familjen time, që është dhurata më e çmuar, më e dashur, më e vërteta në jetë! Për të gjitha këto, i përulem në falënderim Zotit! Ai është dashuria që mbajmë në zemër!” – ka shkruar Elia, ndërkohë që ndjekësit kanë nisur menjëherë t’i urojnë asaj dhe princit Leka Zogu festat e fundvitit.