Binjakët e famshëm dhe Bora Zemani kanë tërhequr vëmendjen e publikut që në fillim. Ky bashkëpunim i lindur mes tyre në mënyrë krejt të natyrshme, duket se i ka munguar publikut shqiptar. “Vendosëm të jemi tre, sepse përshtateshim shumë mirë me njëri-tjetrin dhe kishim kimi”, – shprehet Donaldi, i cili shtyhet pak për t’i hapur vend Borës, e cila ulet mes tyre. “Çuditërisht, ndihem shumë mirë me ta, – rrëfen Bora. – Mendoja se do ta kisha të vështirë. Djemtë kuptohen me sy me njëri-tjetrin dhe pata frikë se mund të ndihesha e mënjanuar, por që nga prova e parë prezantimi rrodhi lirshëm.Grupi ynë është solid. Nëse njëri thotë diçka, dy të tjerët e kuptojmë menjëherë se ku do të dalë.
Kur e thua, duket si diçka e zakonshme, se kështu mund të ndodhë me çdo njeri që vendos të ndash skenën, por nuk është e vërtetë, sepse kemi provuar bashkëpunime edhe me të tjerë që nuk na kanë kuptuar siç ne e kuptojmë njëri-tjetrin.” Ata janë miq të hershëm dhe miqësia e tyre u vulos edhe me këtë projekt. Ndonëse jo gjithnjë gjërat shkojnë kështu. Mund të ndodhë që miqësia të mbarojë aty ku fillon puna dhe ndahen interesat, por me ata është ndryshe. “Treshat” janë njësoj si brenda dhe jashtë studios televizive. “Nëse kjo treshe nuk do të ekzistonte jashtë studios, nuk do të funksiononte as brenda saj. Ne njiheshim më parë. Jashtë botës së televizionit shkonim mirë me njëri-tjetrin, ndaj menduam të bashkëpunonim edhe në televizion.”