Bota e kinemasë turke këtë mëngjes është gdhirë në zi për shkak të humbjes së një prej emrave më të respektuar dhe vlerësuar për kontributin në fushën e aktrimit. Aktorja e njohur e gjeneratës, Fatma Karanfil e cila i dha jetë personazhit të Shajestesë në serialin e paharrueshëm “Dashuri e Ndaluar”, ka ndrruar jetë në moshën 72-vjeçare për shkak të sëmundjes e cila në një kohë të shkurtër kishte avancuar aq sa nuk ia kurseu asaj jetën. Lajmin e humbjes së saj për të gjithë komunitetin e artit dhe publikun, e ka bërë të ditur menaxherja e saj Aslı İslamoğlu:
“Humbëm kolegen dhe miken tonë të vlefshme Fatma Karanfil. Me dhimbje të thellë mësuam për vdekjen e saj. Ajo ishte një prej emrave më të respektuar të kinemasë dhe teatrit turk. Fatma Karanfil, e cila mori pjesë në shumë projekte të suksesshme gjatë gjithë jetës së saj artistike dhe u vlerësua denjësisht me shumë çmime, ishte një emër shembullor jo vetëm në aktrim, por edhe me humanizmin e saj. Ndërsa jemi thellësisht të pikëlluar për këtë humbje të dhimbshme, i urojmë mëshirën e Zotit Fatma Karanfilit dhe shprehim ngushëllimet tona për të gjithë të dashurit e saj, veçanërisht familjen. Drita e saj nuk do të shuhet kurrë, Fatma do të shkëlqejë në zemrat tona dhe në botën e artit edhe pse nuk ndodhet më mes nesh. U prehsh ne paqe e shtrenjta Fatma Karanfil”. Gjithashtu artisti Ali Kocatepe, i martuar me aktoren e ndjerë mes viteve 1975 dhe 1980, ka publikuar një foto nostalgjike duke përcjellë ngushëllimet e tij të sinqerta edhe në llogarinë e tij në Instagram. Kocatepe ka kujtuar: “Ajo ishte gruaja ime e parë me të cilën isha i martuar për pesë vjet“.
Karanfil u diagnostikua me sëmundjen e rëndë shumë vonë në një kohë kur kishin filluar metastazat e shumta. Për një kohë të gjatë qëndroi në intubim por nuk mundi ta shmangte fundin tragjik i cili ka tronditur orët e fundit botën e artit në Turqi.