”Më mbuluan me lekë fierakët”, Sandër Gjoka tregon ngjarjen e pazakontë në vitet ’90

Showbiz

Ai është pa diskutim jo vetëm një nga këngëtarët më të dashur për publikun ndër vite, por edhe një nga themeluesit e shkollës “rock” në vendin tonë. I ftuar mbrëmjen e djeshme në “Këndo Këngën time” ishte pikërisht i madhi Aleksandër Gjoka, i cili përveç se shijoi disa prej hiteve të tij ndër vite tregoi edhe një histori krejt të pazakontë nga viti 1990 në qytetin e Fierit.
“Kam qenë me “Grupin X”. Kemi pasur shumë miq në Fier dhe na propozuan të bënim një koncert. Atëherë bëheshin në teatër, në teatrin e Fierit dhe ishte salla plot. Aty ka qenë çudia më e madhe sepse duke kënduar na hidhnin lekë në skenë sikur të ishim në dasmë. Ne këndonim rrok ata na hidhnin lekë… Kur kam ardhur në Tiranë ju them këtyre grupeve Bledar Sejkos, Redon Makashit, Elton Dedës, “ Çuna ikni në Fier se atje ka lekë…” Të gjithë në Fier dhe u kënaqën…”, -tregoi ai.
I pyetur në lidhje me paratë, ai tha ” Lekë as s’kam as nuk më mbarohen, por synimi im është që emri im të shkruhet. Gjithmonë kam patur brazdën time, jam ruajtur nga komercet. Më janë afruar me bë, pa përmendur emra nuk kam pranuar sepse atëherë nuk jam Sandër Gjoka. Do marr disa lekë më shumë, por unë kam atë shprehjen “as nuk kam as nuk më mbarohen”, kështu që jam në rregull me atë pjesë. Synimi im ka qenë gjithmonë e kam thënë edhe në intervista të tjera para shumë vitesh, që në murin e muzikës shqiptare të ketë dhe nja dy tulla ka qenë dhe ai Sandër Gjoka” .-përfundoi artisti i mirënjohur.