Një grua skoceze që dyshohet se frymëzoi personazhin Martha në serialin hit të Netflix, “Baby Reindeer”, mësohet se ka ngritrur padi për shpifje ndaj Netflix, platformës prestigjoze të transmetimit, duke i shtuar padisë së saj edheakuzat për neglizhencë dhe shkelje të privatësisë. Fiona Harvey, thotë se personazhi i Marthës bazohet tek ajo. Harvey argumentoi në një padi të ngritur në një gjykatë në Kaliforni ku u shpreh se Netflix kishte përdorur gënjeshtra brutale për të, përballë më shumë se 50 milionë shikues në mbarë botën. Paditësja kërkoi mbi 170 milionë dollarë dëmshpërblim me pretendimin se seriali “Baby Reindeer” e përshkruan atë në mënyrë të rreme si një kriminele të dënuar që kaloi kohë në burg për përndjekje. Madje në një skenë të serialit, personazhi i Marthës përshkruhet si një grua duke sulmuar seksualisht protagonistin e serialit. Duke u rrëfyer për BBC News, zonja Harvey tha se ishte e sigurt që Netflix do ta humbiste çështjen. “Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Përndryshe, ne nuk do të ngrija padi. Mendoj se do të fitoj”, deklaroi ajo.
Episodi i parë i mini-serialit hit pretendon se “kjo është një histori e vërtetë”. Titujt e fundit të shfaqjes thonë se programi “bazohet në ngjarje reale: megjithatë disa personazhe, emra, incidente, vendndodhje dhe dialogë janë imagjinuar për qëllime artistike”.
Ndërsa dha dëshmi para Komitetit të Kulturës për Media dhe Sport në Parlament muajin e kaluar, ekzekutivi i Netflix, Benjamin King tha se shfaqja ishte “padyshim një histori e vërtetë e abuzimit të tmerrshëm që pësoi skenaristi dhe protagonisti Richard Gadd nga duart e një përndjekëse të dënuar”. “Duke iu referuar dënimit të mëparshëm të personazhit Martha për përndjekje, asnjëherë nuk u hetua nëse Harvey ishte dënuar, një keqinterpretim shumë serioz i fakteve”, thuhet në ankesë . Zonja Harvey, e cila jeton në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se që nga publikimi i serialit në prill, ajo ka marrë kërcënime të shumta me vdekje. “Kjo përvojë e ka bërë atë të frikësohet ose të kontrollojë lajmet”, thuhet në padi, duke shtuar se ajo ka kaluar ditë pa dalë nga shtëpia e saj.