Marsela Çibukaj: Ju tregoj se si humba 40 kilogramë në 1 vit

Showbiz

Takimi me Marselën u zhvillua në një nga kafenetë e bukura dhe moderne në Tiranë, buzë rrugës, si në ndonjë qytet evropian. Ndonëse ne jemi takuar vetëm disa herë, fakti që ajo është një italofile, sikur krijon në mënyrë imediate disa pika kontakti dhe dashamirësie midis nesh.  Marsela sapo ka mbaruar  provat e ditës te Kënga Magjike  dhe dukshëm është e mbushur me  energji,  por dhe lodhje e angazhim. Celulari i saj tingëllon vazhdimisht, me mesazhe apo telefonata,  por unë e kuptoj plotësisht, sepse të gjithë kemi përjetuar herët a vonë, ditë të mbushura me punë e takime.  Prandaj,  për këtë arsye, pyetjet e para që i drejtoj, janë rreth angazhimeve profesionale, Këngës Magjike dhe pjesëmarrjes së saj dhe partnerit, në të njëjtin kompeticion.

Marsela është shumë sportive, e tillë me sa duket ka qenë dhe  pjesëmarrja e të dyve te Kënga Magjike, e qetë dhe më një lloj bashkëpunimi. Secili nga pjesëtarët e familjes së re, ka konkurruar më këngën personale, pa antagonizëm, pa xhelozi dhe smirë për njëri-tjetrin.  Ajo është rikthyer mbas një periudhe katër vjeçare, ndonëse kompjuteri i saj ka qënë i mbushur me projekte dhe ide të ndryshme. Kënga e duhur, e frymëzuar nga shija e saj,  erdhi  nga bashkëpunimi me Adi Hilën,  dhe talentin e penës së Rozana Radit. Një këngë që i përshtatet mbrëmjeve live dhe që siç thotë ajo është si “ ato filmat që janë të bukur përtej çmimit OSCAR”. Të vjen natyrshëm ta pyesësh dhe mendosh se kur do të  jetësohet bashkëpunimi i parë midis çiftit të muzikantëve të talentuar, por Marsela thotë që ajo dhe Vitmari,  ende nuk kanë biseduar apo janë ndalur të mendojnë për diçka të tillë, po me siguri do ketë. Ndërkohë ajo po përgatitet që në ditët e para të vitit të jetë prezantuese  në ripropozimin e  Festivalit të 11 të Këngës i cili do të zhvillohet në Bunker Art.  Festivali që do të transmetohet në RTSH, do të zgjasë tre ditë, dhe  Marsela bashkë-prezantuese me Bujar Kapexhiun, (prezantuesin e vërtetë të festivalit origjinal)  do të këndojë dhe këngën “Kafe Flora”, nga Lindita Thota.

Kanë kaluar pothuajse dy vite nga takimi i fundit fizik me Marselën, dhe ndërsa unë jam aty ku më ka lënë, jeta e saj ka ndryshuar në 360 gradë.  Jeta profesionale, personale, fizike, çdo copëz  që përbën përditshmërinë e saj është e rinovuar, rimodernizuar. Jam kurioze të di se çfarë ndodhi, cila është shkëndija apo inputi që i dha jetë këtyre ndryshimeve madhore.  Por, ajo me modesti,  thotë që të gjitha: si aktivizimi në skenë, dobësimi apo dashuria, erdhën bashkë, pa planifikim, njëra pas tjetrës. Ndërsa shëndeti, është histori më vete, sepse ai erdhi  mbas një vetëdijesimi për rëndësinë e ushqimit, të mbajtjes së trupit dhe mirëqenies në përgjithësi.  Pika kulmore ka qenë gjatë një udhëtimi në Egjipt me mikeshat e saj, gjatë të cilit, në ekskursionet ditore ajo vërente që ishe gjithmonë e fundit, që mbante hapin e të tjerëve me vështirësi, që nuk arrinte të dëgjonte ciceronin  dhe që zonja shumë më të mëdha se ajo në moshë, ishin më të shpejta dhe aktive. Aty Marsela vendosi që duhet të ndryshonte këtë gjendje, që duhej të kujdesej që të jetojnë më mire dhe të dashuronte  trupin dhe jetën e saj.

Sot me 40 kg me pak,  për një periudhë 1 vjeçare,  mbas një suksesi të padiskutueshëm, ajo pohon:  “Tashmë jam shndërruar në dietologe dhe njerëzit më pyesin më shumë si jam dobësuar sesa si është kënga ?”.

Marsela më rrëfen që edhe dietologia, por dhe mësuesja e saj e kantos në Itali, vazhdimisht e kanë këshilluar të humbasë peshë, sepse është e vërtetë që historia e muzikës ka pasur Pavarottin, por është dhe e vërtetë që ka dhe Celine Dion. Prandaj,  për të ndihmuar fizikisht veten,  ajo ka zgjedhur sportin dhe korrektësinë në të ngrënë,  duke favorizuar më shumë  konsumin e frutave, perimeve, proteinave.  Ushqimi mbas orës 7 të darkës, konsumi i ëmbëlsirave, alkoolit apo pijeve me gaz janë rutina të tjera nga të cilat ajo ka hequr dorë.  Synimi i Marselës ishte dhe është,  një regjim sa më i shëndetshëm, duke favorizuar frutat e stinës, ushqimin në shtëpi dhe jo atë të përgatitur apo konservuar.  Kështu me shumë vullnet, pak nga pak, erdhën dhe rezultatet e para.

Marsela thotë që qëllimi nuk ka qenë dukja e jashtme, sepse publiku e ka vlerësuar dhe dashur dhe me kilet e tepërta. Sipas renditjes të bërë nga vetë ajo,  tre janë arsyet për këtë ndryshim rrënjësor, e para vetëbesimi, sepse një regjim i shëndetshëm e indukton këtë ndjenjë, më pas riaktivizimi fizik,  qe me mbipeshën ishte zhdukur, dhe se treti një përformancë më e mirë dhe praktike  në skenë. Duke qenë vetë një person shumë i disiplinuar, arrij të kuptoj që stili i jetës së mëparshme të Marselës nuk ka qenë aspak i shëndetshëm, fakt që ajo miraton, duke shtuar që lodhja, puna në orët e vona të natës, bënin që ajo të abuzonte  me ushqimin e shpejtë dhe ëmbëlsirat.  Të gjitha këto,  sot edhe gjatë momenteve të punës, janë zëvendësuar,  me  një grusht arra apo rrush të thatë, karota ose kastravecë. Tashmë  ajo ka arritur një ekuilibër, një peshë ideale, që i përshtatet fizikut dhe fiziologjisë që ka. Humbja e kileve të tepërta e bën të ndihet mirë dhe të shijojë këtë arritje, këto ndjesi apo lehtësi që të rrethojnë, dhe  që vetëm sadisfaksioni i arritjes së figurës që dëshiron, arrin të të dhurojë. Ajo më pohon ( dhe kushdo që ka vuajtur më kilet e tepërta mundet të kuptojë) që e ze gjumi me qetësi nëse nuk ka abuzuar me çokollata në orën katër të mëngjesit apo me diçka të skuqur.

Janë mjekët italianë, më saktë  nutricionisti i saj që e ka shoqëruar në këtë udhëtim, duke ndryshuar dietën  dhe duke analizuar vlerat e trupit të saj. Marsela e quan vetën të papërgatitur në këtë sektor dhe nuk ka dashur të rrezikojë duke marrë dieta të gatshme që gjendet edhe në faqe interneti. Më e mira është që secili nga ne, të ushqehet në baze të nevojave individuale, ndonëse, brumërat, sheqernat, pijet e gazuara dhe alkooli duhen reduktuar – thotë ajo.

Ky regjim ushqimor i ri, ka qenë prezent edhe në marrëdhënien më atë që ajo nuk nguron të prezantojë si të fejuarin e saj, Vitmar Basha. “ Përsa i përket ushqimit secili nga ne ka ritmin e tij, sepse unë nuk mund të ja lejoj vetes të ha një pizza në ditë . Vitmari i djeg më mirë kaloritë e marra dhe ushtron më shumë sport.” – më tregon Marsela.   Ata bashkëjetojnë, por gjithashtu kanë secili folenë e tij, për të pasur hapësirën personale.   Ndonëse njiheshin dhe respektoheshin si kolegë,  shkëndinë e parë e kanë pasur  gjatë një bashkëpunimi në një mbrëmje live, kur gjatë kthimit në shtëpi,  ajo vendosi të mos refuzojë avance-at e tij.  Kështu dy karaktere të ngjashme por dhe të ndryshme, njëri shenjë uji dhe tjetra shenjë zjarri, përshtaten dhe bashkohen bukur  me njëri –tjetrin.  Kjo u konfirmua dhe nga buzëqeshja e saj e shndritshme kur Vitmari u shfaq gjatë setit fotografik.

Duke lexuar dhe kaluar gishtin në Instagramin e saj, shikoj disa komente negative të cilat vinin në dukje faktin që ajo ishte dobësuar më shumë seç duhej, prandaj nuk ngurova ta pyes dhe për këtë. Ajo pohon se jo vetëm në profilin e saj, por dhe në atë të shumë artistëve të tjerë, ka komente të vazhdueshme pakënaqësie. “Duket sikur njerëzit kanë gjithmonë një pakënaqësi. Ose je shumë e shëndoshë ose je shumë e dobët, duket sikur nuk ka kurrë një ekuilibër”. “ Prandaj” –  shton Marsela,  “është e rëndësishme që të njeriu të bëjë atë që ndjen, në momentin që e ndjen, dhe mbi të gjitha ti bëjë për një arsye të vetme: shëndetin.  Ndodh që trupi na jep sinjale, dhe ne duhet të duam veten, dhe të kalojmë përtej vlerësimeve të bukurisë e cila nuk është meritë,  por dhuratë.  Duhet të pranojmë veten tonë, por nga ana tjetër duhet të kujdesemi edhe për shëndetin tonë. Ndjesia e veshjeve të reja, të cilat të qëndrojnë bukur, liria e zgjedhjes se një palë pantallonave pa vuajtur për të bërë kombinimin e duhur, lehtësia në përditshmëri, janë të gjitha momente kënaqësie dhe sodisfaksioni personal. “

Me sa duket ,  ja vlen të fillosh nga e para- thotë Marsela.  Kështu mbyllet dhe biseda jonë, duke shijuar suksesin dhe  arritjet e saj, duke shkëmbyer opinione mbi rëndësinë e një jetë të shëndetshme, fizike, mendore, apo emocionale.