” Larg me kilometra, por afër me zemër” Inva Mula i uron ditëlindjen babait në mënyrën më speciale

Showbiz

Edhe pse impenjimet e ndryshme artistike e “detyrojnë” shpeshherë të jetë larg familjes, sopranoja e njohur Inva Mula gjen gjithmonë kohë për të dashurit e zemrës e sigurisht që 92-vjetori i lindjes së të atit, nuk mund të bënte përjashtim. “Artisti i Popullit” Avni Mula ka festuar së fundmi 92 vjetorin e lindjes, por për të bijën ai vazhdon të mbetet akoma i ri në shpirt.

“Happy birthday to my 29 years old Hero !” – “Gëzuar ditëlindjen heroit tim 29 vjeçar”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook, duke numëruar ditëlindjen e 92-të mbrapsht dhe duke postuar një fotografi ku ka dalë me të atin dhe dy fëmijët e saj.

Në këtë ditëlindje, Inva Mula nuk do të jetë pranë të atit, pasi do të japë shfaqje në Gstaad, “por do të këndoj për të”, ka deklaruar artistja për “Voal.ch”. Avni Mula, lindi në Gjakovë në 4 janar të 1928, në një familje ku ishte i shtati fëmijë, më i vogli mes tre djemve dhe tre vajzave në atë familje. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton.

Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.