Ku kishte humbur gjithë këto kohë Duffy?

Showbiz

Këngëtarja Duffy është rikthyer në qendër të vëmendjes pas të vërtetës së trishtuar që zbuloi. Postimi i saj i fundit në Instagram i përkiste 2017-ës. Dje, përmes një statusi të gjatë tregoi peripecitë nëpër të cilat kaloi këto kohë që ishte jashtë vëmendjes publike.

“Mund ta imagjinoni vetë sa kohë jam menduar për ta shkruar këtë status. Si do ta shkruaja, si do ndihesha pasi ta kisha shkruar. Nuk isha plotësisht e sigurt nëse kjo ishte koha e duhur për t`u çliruar, për të folur. Shumë prej jush pyesin se ç`ndodhi me mua, ku u zhduka. Një gazetar më kontaktoi, e gjeti mënyrën për të folur me mua dhe unë ia tregova të gjitha. Tani jam mirë, jam e sigurt, por disa kohë më parë u dhunova, u drogova dhe më mbajtën peng për disa ditë. Mbijetova, por rimëkëmbja kërkoi kohë. Mund të pyesni përse nuk kam përdorur zërin për të shprehur dhimbjen time? Nuk doja t`i tregoja botës trishtimin në sytë e mi. Si mund të këndojë zemra nëse është e thyer? Në javët në vazhdim do publikohet intervista ime. Aty i kam treguar të gjitha me detaje”, shkruan Duffy që në vitin 2008 realizoi superhitin “Mercy” dhe publikoi dy albume.