E kemi njohur nga konkurset e bukurisë kur rrëmbeu kurorën e ‘Miss Universe Albania 2013’ dhe përfaqësoi Shqipërinë në kompeticionin ‘Miss World 2015’ në Kinë. Që prej asaj kohe karriera e saj është në ngritje duke e kthyer Kristinën në një nga modelet më të pëlqyera shqiptare. Ajo ka treguar për hapat e parë që e çuan drejt botës së modelingut dhe zbuloi se i ati nuk ka dashur që ajo të bëhet modele.
“Ja kisha shprehur tim eti disa herë dëshirën për të qenë pjesë e konkurseve të bukurisë apo modelingut. Por përgjigja e tij ishte gjithmonë jo, pasi nuk e kishte me shumë qejf këtë lloj fushe. Një ditë në shkollë mbërrijnë përfaqësues të Miss-it dhe më përzgjedhin edhe mua. Kur shkoj në shtëpi, ia them babit sa për ta ditur se nuk mendoja se ai kishte ndryshuar mendim. Por për çudinë time, më tha provoje”,-ka treguar ajo.