Kris Jenner i ka dhënë familjes dhe dashamirësve të saj një përditësim mbi shëndetin përmes ‘trailer’-it të ri të sezonit e pestë të serialit “The Kardashians”. Seriali i famshëm i familjes Kardashian do të rikthehet më 23 maj me më shumë dramë dhe disa komplikime serioze. Më 8 Maj, platforma e transmetimit publikoi një ‘trailer’ të ri për sezonin e ardhshëm, ku vihet re Kris e ulur me vajzat e saj gati për t’u treguar se mjekët kanë gjetur diçka të pazakontë. Në ‘trailer’-in e publikuar Kris bën deklaratën e papritur se mjekët gjetën një cist dhe një tumor të vogël. Kamera më pas kaloi tek Khloe, Kylie Jenner dhe Kendall Jenner, të cilat ishin ulur rreth nënës së tyre. Në fytyrën e Khloe u vu re një shikim i shqetësuar, ndërsa Kendall ngushëlloi motrën e saj e cila kishte shpërthyer në lot. Nga sa u shfaq në video nuk u dhanë detaje të mëtejshme që do të thotë se shikuesit nuk do të mësojnë se ku ndodhet tumori dhe nëse është një tumor malinj apo jo, deri në momentin kur do të transmetohet episodi.
Bazuar në klipet e përdorura në trailer, regjistrimet për sezonin e ri duket se zhvillohen në vjeshtën e vitit 2023.
Sezoni i pestë i “The Kardashians” fillon transmetimin më 23 maj në Hulu në ShBA dhe Disney+ në Mbretërinë e Bashkuar.