Kivanc Tatlitug dhe Basak Tatlitug, së fundmi janë detyruar t’i drejtohen policisë për të kërkuar ndihmë. Çifti janë përballur me një person i cili i ndjek dhe i ‘persekuton’ prej kohësh. Fillimisht e gjitha kjo dukej thjesht si një rast normal i një fansi që kërkon të jetë pranë personazheve të preferuara, por më pas situata u bë e frikshme, të paktën për Basak.
Teksa konsumonte një kafe me mikeshat e saj, Basak është hasur me personin në fjalë, i cili jo vetëm e ka ndjekur gjatë gjithë kohës, por edhe e ka kërcënuar. Stafi i lokalit janë munduar ta largojnë atë nga zona ku ndodhej Basak, por personi nuk rreshtte së godituri objektet që gjendeshin rreth e rrotull. “Nuk do të shkoj asgjëkundi. Kudo që të më dërgoni, do të rikthehem dhe do të ndjek,” kanë qenë fjalët e tij kundrejt Basak. Menjëherë pas këtij incidenti, Kivanc dhe bashkëshortja e tij i janë drejtuar policisë për të bërë një denoncim dhe për të kërkuar urdhër mbrojteje nga 28-vjeçari i cili tashmë është arrestuar.