Komentet negative dhe ofenduese në rrjete sociale, janë kthyer në një shqetësim për shumë personazhe të njohur. Nga ekrani i një telefoni është shumë e thjeshtë të gjykosh dhe të komentosh dikë, ndaj ky fenomen është përhapur kaq shumë vitet e fundit. Disa personazhe të famshëm zgjedhin t’i injorojnë njerëzit që lënë komente negative, e të tjerë nuk kanë ngurruar t’ju kthehen ashpër publikisht. Duke qenë se ky është një problem global, Bleona ka vendosur t’a përdorë si temë për këngën e saj më të fundit. Këngëtarja shqiptare ka treguar se në datë 27 shtator do të publikojë projektin e ri muzikor, që do të ketë në qendër të saj komentet fyese në rrjete sociale të bëra nga personat që përdorin llogari të rreme.
Bleona ka publikuar një fotografi të saj në ‘Instagram’ dhe bashkangjitur ka shkruar: “Kënga ime e re do të publikohet në datë 27 shtator. Kam vendosur të flas për një fenomen që është bërë pjesë e jetës së çdo personi që përdor rrjetet sociale, veçanërisht personazhet e njohur. Jo të gjithë ne kemi kurajën të zbulojmë se çfarë është në të vërtetë: Një kancer digjital! Jam duke folur për komentet të mbushura me urrejtje nga njerëz të mjerë, të cilët shumicën e kohës shkruajnë nga llogari fallco duke përdorur WiFi falas. Këta dështakë nuk kanë as kurajën të përdorin emrat e vërtetë dhe kjo është e vetmja mënyrë për të justifikuar dështimin e tyre në jetë duke ju drejtuar gishtin të tjerëve, që në të vërtetë kanë punuar fort për të arritur aty ku janë! P.S: Ju fal të gjithëve, sepse nëse më ndiqni ju jeni fansa”.
Kënga e re e Bleonës do të titullohet “Haters” (Urryesit) dhe këngëtarja duket se është plotësisht e bindur se nëse bëhemi të gjithë bashkë mund ta luftojmë këtë problem kaq shqetësues
View this post on Instagram