“Kam qarë me pikë të lotit”; Cili ka qenë momenti më i vështire i Juliana Pashës?

Showbiz

Muzikën Juli e ka pasur pasion që në fëmijëri. Veten kështu e mban mend gjithmonë. Edhe fëmijërinë e kujton me shumë nostalgji të lidhur më muzikën. Çdo lojë kishte lidhje me muzikën dhe çdo argëtim nuk mund të kuptohej pa këngën.

Të tillë e kujton edhe sot periudhën më të bukur të jetës së saj Juliana Pasha. E ftuar në një emision për të treguar projektet e saj të reja jo vetëm në muzikë, por edhe në biznes, Juli u ndal pak edhe në vitet e fëmijërisë, duke ndarë me publikun për herë të parë edhe disa foto nga ajo periudhë.

“Unë kam nostalgji për fëmijërinë, më shumë djalë sesa vajzë, kam qenë shumë aktive, shumë e qeshur. Fëmijërinë e kam kaluar në qytetin tim në Burrel deri në moshën 14-vjeçare. Koha jonë, vitet ’80-’90 kanë qenë shumë të bukura, lojëra, aktivitete pafund. Aty kam nisur rrugëtimin e këngës në Shtëpinë e Pionerit, kam bërë provën për veshin ritmik. Aty kam mësuar të luaj mandolinën, fëmijëria ka qenë e plotësuar me shumë gjëra”

“Një nga gjërat më të veçanta që bëja si fëmijë ishte se kur dilnin këngët e Festivalit, uleshim familjarisht. Mami dhe babi e dinin që mua më pëlqente t’i mësoja shumë shpejt këngët, me laps e letër të dy dëgjonin këngët dhe shkruanin tekstin që unë ta kisha gati. Bashkë me shokët dhe shoqet, organizoja një minifestival në lagje. Nuk kam menduar asnjëherë për asgjë tjetër veç muzikës..”

Në vitin 1998-të Juliana ka dalë për herë të parë në festival, pas kalimit të disa fazave për t’u ngjitur në atë skenë; këndimi me një orkestër, emocionet e pafundme dhe takimi me artistët që i kishte ëndërruar si Irma Libohova, Manjola Nallbani, Ardit Gjebrea etj.

Ajo tregon se ka qarë shumë kur ka dalë në festival vetëm se kishte prerë flokët. Kuratore e imazhit për Julianën në fillimet e saj ka qenë e ëma:

“Më erdhi që në daljen time të parë në festival kisha prerë flokët. i kam pasur gjithmonë flokët e gjatë, flokë të bukur, të gjatë. Çuditërisht, gjatë verës atë vit i shkurtova flokët dhe kam qarë me pikë të lotit kur kam dalë në festival vetëm sepse kisha prerë flokët, sepse më pëlqente. Thashë pse? Nuk e dija që do dilja atë vit…”