Ja çfarë studiuan këta këngëtarë shqiptarë

Showbiz

www

Dihet tashmë se tregu muzikor shqiptar është i stërmbushur me këngëtarë, të zhanreve dhe moshave të ndryshme.Por, a e keni ditur, se jo të gjithë kanë studiuar për muzikë. Në vazhdim, ju sjellim disa emra të njohur të skenës sonë, të cilët mbaruan universitetin në drejtim krejt tjetër, dhe aktualisht ushtrojnë profesionin e këngëtarit.

Ndonëse për një kohë ushtroi profesionin e prezantueses në ekranin e Top Channel, tani është shfaqur edhe si këngëtare. Luana Vjollca ka përfunduar studimet për drejtësi.

Nuk mund të themi se është larguar shumë nga fusha e artit, pasi edhe studimet i ka përfunduar në Akademinë e Arteve, por jo në degën e muzikës. Fjala është për reperin e njohur Ledri Vula, i cili përfundoi studimet në degën regji-film. Ndryshe nga të tjerët, Ledri disa here, ka ushtruar edhe profesionin e regjisorit. Kujtojmë se para dy viteve, ai kishte përgatitur një reportazh, për gratë e dhunuara gjatë luftës, reportazh i cili u transmetua në RTV 21.

Edhe pse viteve të fundit nuk ka qenë shumë aktive në muzikë, prapë se prapë kur përmendet emri Zaimina, menjëherë do të etiketohet si këngëtare, edhe pse me profesion është arkitekte. Zaimina tashmë ka filluar të merret edhe me biznes, pasi ka hapur në Tiranë butikun e saj, me veshje nga markat më të ndryshme.

Soni Malaj është e njohur si këngëtare, por ajo ka studiuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, më saktësisht gjuhën franceze. Ajo është një përkthyese mjaft e zonja, por që nuk e ka ushtruar ende këtë profesion.

Zanfina Ismaili është mjaft e njohur për publikun. Ajo ka filluar të merret me muzikë që në moshën katër vjeç. E inspiruar nga motra e saj e madhe Adelina, ajo u mor me muzikë edhe në vazhdimësi. Zanfina përfundoi studimet në Fakultetin Juridik, e ndërsa aktualisht ushtron profesionin e këngëtares. /Telegrafi/